Kompania ndërtuese Orchide, në pronësi të biznesmenit ferizajas Xhemail Ferati, ka vijuar punimet mbindërtuese në një objekt përkundër që ka pasur ndalesë nga Komuna e Ferizajt.
Gazeta Insajderi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet vinçi i ndërtimit që tregojnë rifillimin e punimeve.
Insajderi ka mësuar se Komuna e Ferizajt ka deponuar kallëzim penal për kompaninë në fjalë. Mediumi iu është drejtuar me pyetje Prokurorisë Themelore të Ferizajt nëse e kanë trajtuar si rast, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Në vendngjarje kanë dalë edhe Policia e Kosovës.

Burime të Gazetës Insajderi kanë bërë të ditur se prapa këtij ndërtimi qëndron edhe biznesmeni Astrit Grainca. Mediumi iu është drejtuar me pyetje Graincës para disa javësh, mirëpo i njëjti ka mohuar të ketë përgjegjësi për këtë mbindërtim.
“Ju njoftoj se Kaseta Shpk dhe Astrit Grainca nuk janë investitorë dhe as punëkryes të projektit/objektit në fjalë. Për rrjedhojë, nuk kemi rol apo përgjegjësi në realizimin e atij projekti dhe nuk jemi palë kompetente për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me ndërprerjen e punimeve apo çështjet procedurale që lidhen me të”, është thënë në përgjigjen e tyre.











