“Në çdo proces penal, aktakuza nënkupton përmbylljen e një hetimi dhe më pas transparencën se me çka do të përballen të akuzuarit dhe mbrojtja, për t’u ballafaquar me ato prova që janë pjesë e asaj aktakuze”, tha Zekaj.
Sipas tij, në Dhomat e Specializuara ka ndodhur e kundërta, pasi edhe pas ngritjes së aktakuzave kanë vazhduar bastisjet dhe mbledhja e provave.
“Këtu te ne, në Dhomat e Specializuara ndodhi diçka krejt kundër, diçka që nuk është parë në shtete tjera të Unionit Evropian, e as në sistemin gjyqësor të Kosovës, në bazë të ligjeve të Kosovës që është dalë edhe kjo gjykatë apo këto dhoma të specializuara”, tha ai.
Zekaj tha se kjo situatë ka krijuar pasiguri të plotë juridike për të akuzuarit dhe mbrojtësit, në përgatitjen e tyre për t’iu kundërvënë aktakuzës.
“Domethënë, edhe pas ngritjes së aktakuzave vazhduan bastisjet, vazhduan mbledhjet e provave, domethënë që ishte një pasiguri e plotë juridike për akuzën dhe për mbrojtësit që të përgatiten dhe t’i kundërvihen kësaj aktakuze”, tha Zekaj.
Duke folur për parimin e barazisë së armëve, ai tha se mbrojtja ka qenë në një situatë shumë të vështirë, për shkak se të akuzuarit po mbahen në paraburgim tash e gjashtë vjet.
“Tani, kur flasim për barazinë e armëve, mbrojtja ishte në një situatë shumë të vështirë për shkak se kishin të akuzuar që mbaheshin në paraburgim për tani gjashtë vite”, tha ai.
Sipas Zekajt, kur një i akuzuar ndodhet në paraburgim, mbrojtja përballet me dilemën nëse duhet të kërkojë proces më të shpejtë apo të jetë më konsistente në mbledhjen e provave.
“Kur ti ke klient apo të akuzuar në paraburgim, ti je në mes të dy zjarreve: të kërkosh një proces të përshpejtuar për shkak që të arrish që këta persona të shkojnë në gjykim dhe të shfajësohen për ato pjesë të aktakuzës, apo të jesh më konsistent në mbledhjen e provave”, tha Zekaj.
Ai tha se mbrojtja është ballafaquar edhe me këtë segment, duke shtuar se ka qenë në interes të saj që procesi të përfundojë sa më shpejt, me qëllim lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi.
“Ka qenë edhe në interes të tyre që sa më shpejt me përfundu ky proces, me qëllim që të lirohen nga ky paraburgim që është shndërruar në dënim, jo në masë për sigurimin e të pandehurit në procedurë, qysh është edhe vetë roli i kësaj mase të paraburgimit”, tha Zekaj.













