Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Tani Kosova duhet të synojë bashkimin me Shqipërinë

02/10/2026 - 15:30
në Opinione
A A
Tani Kosova duhet të synojë bashkimin me Shqipërinë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Pas vendimit të Hagës, që preku në thelb një prej shtyllave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës, dhe pas viteve të bllokimit ndërkombëtar, sanksioneve pas Banjskës dhe dështimit për t’u integruar në institucionet kryesore ndërkombëtare, shtohet nevoja që Kosova ta faktorizojë seriozisht një alternativë të re politike. Bashkimi me Shqipërinë duhet të dalë nga korniza e tabusë dhe të trajtohet si çështje strategjike, jo si slogan nacionalist apo reagim emocional. Jo si projekt për ndryshim kufijsh me forcë, por si proces demokratik, institucional dhe gradual, përmes të cilit Kosova dhe Shqipëria do të mund të ndërtonin një hapësirë të përbashkët politike, ekonomike dhe të sigurisë. Pyetja nuk është më vetëm se çfarë kërkojnë ndërkombëtarët nga Kosova, por çfarë strategjie duhet të ndërtojë Kosova për të mos mbetur përgjithmonë peng i vendimeve të të tjerëve.

Shkruan: Visar Duriqi

Ka ardhur koha ta themi pa e ulur zërin, pa kërkuar falje dhe pa pritur që dikush nga ambasadat të na japë leje: projekti i shtetësisë së Kosovës nuk mund të mbetet përgjithmonë një projekt i administruar nga të tjerët.

Kosova nuk u çlirua për të qenë një hapësirë ku diplomatët e huaj vendosin sa sovranitet mund të kemi, sa institucione mund të krijojmë, sa mund të reagojmë ndaj Serbisë dhe sa duhet të heshtim kur na bëhet padrejtësi. Nuk u shpall pavarësia për të ndërtuar një shtet që njihet nga disa, bojkotohet nga të tjerët dhe përdoret nga të gjithë si argument, por rrallë trajtohet si palë.

Për këtë arsye, pas asaj që ka ndodhur në Hagë, pas dështimeve të njëpasnjëshme të diplomacisë perëndimore ndaj Kosovës, pas Banjskës dhe pas mënyrës se si Bashkimi Evropian e ndëshkoi viktimën ndërsa agresori vazhdon të sillet si partner, duhet ta hapim një debat që për vite të tëra e kemi mbajtur të mbyllur.

Kosova duhet ta synojë bashkimin me Shqipërinë.

Jo si parrullë. Jo si shpërthim sentimental. Jo si thirrje për ndryshim kufijsh me forcë. Por si fazë politike e një evolucioni shtetëror që historia, identiteti, siguria dhe dështimi i modelit aktual po e bëjnë gjithnjë e më të pashmangshëm.

Forma mund të diskutohet. Mund të jetë konfederatë. Mund të jetë bashkësi politike, ekonomike dhe e sigurisë. Mund të jetë një shtet i përbashkët i ndërtuar gradualisht. Mund të jetë një proces me dy parlamente, institucione të përbashkëta, treg të përbashkët dhe politikë të harmonizuar të jashtme, derisa qytetarët të vendosin për hapin final.

Por qëllimi nuk duhet të fshihet pas teknikës. Ne duhet ta themi qartë se çfarë duam. Sepse popujt që nuk e thonë vetë se çfarë duan, përfundojnë duke jetuar brenda asaj që ua kanë caktuar të tjerët.

Shteti që na u dha me kushtin të mos sillemi si shtet

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Por ajo pavarësi nuk erdhi si një akt i plotë i çlirimit politik. Erdhi me plan, me mbikëqyrje, me kufizime dhe me një paketë rregullash që i kërkonin Kosovës të dëshmonte çdo ditë se nuk ishte ajo që armiqtë e saj thoshin se ishte.

Ne pranuam shumëçka. Pranuam që shteti ynë të ndërtohej mbi një arkitekturë që duhej të garantonte të drejtat e komuniteteve, të mos kishte pretendime territoriale dhe të mos kërkonte bashkim me ndonjë shtet tjetër. Pranuam një shtet që duhej të ishte aq i kujdesshëm me veten, saqë edhe ideja për të ardhmen e tij u fut në burgun e kushtetutës.

Ndërkohë Serbia nuk pranoi as pavarësinë, as realitetin, as përgjegjësinë. Ajo e përdori çdo kanal ndërkombëtar për ta penguar Kosovën: nga Këshilli i Sigurimit te UNESCO-ja, nga Interpoli te Këshilli i Evropës, nga organizatat rajonale te çdo tavolinë ku një votë mund ta shtyjë njohjen për një tjetër vit.

Dhe këtu qëndron ironia e madhe: Kosovës iu kërkua të sillej si shtet evropian, por nuk iu dha mundësia të marrë pjesë në institucionet ku shtetet evropiane marrin vendime.

Pesë shtete të Bashkimit Evropian — Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia — ende nuk e njohin Kosovën. Kjo nuk është një çështje teknike. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian, në raport me Kosovën, nuk flet me një zë. Për Kosovën kërkohet unitet kur duhet të zbatohen presione, por nuk ka unitet kur duhet të kërkohet njohje.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Asambleja Parlamentare e rekomandoi anëtarësimin në prill 2024 me 131 vota pro, por vendimi përfundimtar mbeti në Komitetin e Ministrave. Pra, edhe kur një institucion parlamentar e vlerësoi se Kosova mund të ecte përpara, dera politike mbeti e mbyllur.

Dhe të mos na shesin moral për Evropën. Rusia, e cila për vite e përdori Këshillin e Evropës si një prej skenave të saj diplomatike, ishte anëtare e kësaj organizate deri në përjashtimin e saj pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Kosova, një vend evropian, vazhdon të mbahet jashtë.

Në Interpol, Kosova u refuzua në vitin 2018. Kjo nuk është një histori e vogël. Interpoli është organizatë policore, jo klub poetësh. Anëtarësimi do t’i jepte Kosovës qasje më të drejtpërdrejtë në të dhëna për krimin, terrorizmin, trafikimin dhe personat e kërkuar. Serbia e kuptoi rëndësinë e kësaj dhe punoi për ta mbajtur Kosovën jashtë. Aplikimi u refuzua nga Asambleja e Përgjithshme e Interpolit.

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Kosova ende nuk është anëtare. Nuk është se Kosova nuk ka popull, territor apo institucione. Është se Rusia dhe Kina vazhdojnë ta mbajnë peng çështjen në Këshillin e Sigurimit dhe disa shtete të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e njohin.

Kjo është shtetësia që na ofruan: shpalleni veten shtet, ndërtoni institucione, luftoni korrupsionin, respektoni standardet, dialogoni me Serbinë, bëni lëshime, mos u zemëroni — por mos prisni që sistemi ndërkombëtar t’ju hapë dyert.

Dhe pastaj habiten pse Kosova po kërkon një rrugë tjetër.

Historia nuk fillon më 2008

Historia e Kosovës nuk fillon me flamurin e ri dhe as me deklaratën e pavarësisë. Para vitit 2008 kishte 1913. Kishte Konferencën e Londrës, ku kufijtë u vizatuan mbi trupin e një populli shqiptar dhe Kosova mbeti jashtë shtetit shqiptar. Kjo nuk është fantazi nacionaliste. Është fakt historik: pas Luftërave Ballkanike, Kosova u nda nga Shqipëria dhe u përfshi në Mbretërinë Serbe, Kroate e Sllovene, më pas në Jugosllavi.

Kishte vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur pjesë të Kosovës u përfshinë në Shqipërinë e pushtuar nga Italia. Ky nuk ishte bashkim i lirë e demokratik, prandaj nuk mund të romantizohet. Por ishte dëshmi se kufiri që na ndau nuk ishte ndonjë vijë e shenjtë e natyrës. Ishte rezultat i luftërave dhe marrëveshjeve të fuqive.

Kishte vitin 1945, kur Kosova u rikthye në kuadrin jugosllav. Kishte vitin 1974, kur Kushtetuta e Jugosllavisë ia dha Kosovës autonominë më të gjerë dhe pothuajse të drejta të barabarta me republikat në nivel federal. Kjo nuk e bëri Kosovën republikë, por dëshmoi se edhe brenda një federate të ndërtuar për të frenuar çështjen shqiptare, statusi i Kosovës nuk mund të mbetej përgjithmonë një provincë e zakonshme.

Kishte vitin 1989, kur Millosheviqi ia hoqi Kosovës autonominë. Ishte pikërisht ai akt që e shkatërroi iluzionin se shqiptarët e Kosovës mund ta gjenin barazinë e tyre brenda Serbisë. Më pas erdhi rezistenca paqësore e Ibrahim Rugovës, institucionet paralele, mohimi ndërkombëtar i realitetit dhe, në fund, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në vitin 1999, NATO-ja ndërhyri pasi Serbia kishte zhvilluar një fushatë brutaliteti kundër shqiptarëve të Kosovës. Pas 78 ditësh bombardime, Rezoluta 1244 e pezulloi qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën dhe e vendosi territorin nën administrim ndërkombëtar.

E çfarë ndodhi pas kësaj? U tha se statusi do të përcaktohej. U tha se populli i Kosovës do të dëgjohej. U tha se standardet do të çonin te statusi. Në fund, pas vitesh negociatash të dështuara, Kosova shpalli pavarësinë.

Nëse pavarësia e vitit 2008 ishte zgjidhja e fundit e një procesi ndërkombëtar, atëherë duhet ta pranojmë edhe pyetjen tjetër: çfarë ndodh kur kjo pavarësi mbetet e gjymtuar dhe e bllokuar? A duhet të vazhdojmë të sillemi sikur modeli po funksionon, kur faktet tregojnë të kundërtën?

Banjskë | Serbia sulmon, Kosova ndëshkohet

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. U vra polici Afrim Bunjaku. U rrezikuan policët, u sulmua rendi kushtetues dhe u krijua një situatë që mund ta ndizte veriun e Kosovës.

Bashkimi Evropian e dënoi sulmin me deklarata duke thëne se ishte kryer nga një bandë e armatosur dhe kërkoi që përgjegjësit të përballeshin me drejtësinë. Por dënimi në letër madje duke mos e thënë që ishte vet Republika e Serbisë si agresore pas sulmit, por ‘një bandë’, nuk mjafton. Madje, pavarësisht fakteve për përfshirje direkte të shtetit serb në sulm ndaj Kosovës, e kur ky shtet strehon, mbron ose nuk ndjek penalisht organizatorët vazhdon të ulet në tavolinë si palë e barabartë, e bënë edhe më të rëndë situatën.

Milan Radoiçiqi e mori publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm. Shtetet perëndimore e dinë këtë. Kosova e di këtë. Serbia e di këtë. Por Radoiçiqi nuk është sjellë para drejtësisë në Kosovë dhe Serbia nuk e ka zhvilluar një proces real që të zbardhë zinxhirin e urdhëruesve, financuesve dhe mbështetësve të sulmit.

Në vend se ta vendoste Serbinë nën presion të plotë dhe ta lidhte normalizimin me ndjekjen e përgjegjësve të Banjskës, Bashkimi Evropian e gjeti fajtorin më të lehtë: Kosovën.

Në qershor 2023, për shkak të përshkallëzimit në veri dhe përplasjes rreth komunave, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës. U pezulluan vizita të zyrtarëve, u ngadalësuan ose u pezulluan fonde dhe u ndërprenë takime të mekanizmave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2024 konfirmon se masat prekën edhe fondet që me të drejtë i takonin Kosovës.

Me fjalë të tjera: për sulmin që ndodhi në Banjskë u krijua një atmosferë ku Serbia mund të vazhdonte të pretendonte se nuk ishte përgjegjëse, ndërsa Kosova ndëshkohej për mënyrën se si po e administronte veriun e vet të cilin grupi terrorist e kishte përdorur dhe pas shpartallimit la shumë mbetje kriminale aty.

Masat u quajtën të përkohshme dhe të kthyeshme. Por “e përkohshme” në gjuhën e Brukselit do të thotë që mund të zgjasë aq sa të harrohet arsyeja fillestare. Ato u vendosën në qershor 2023 dhe u mbajtën për afro tre vjet, deri në heqjen e tyre graduale e të plotë gjatë vitit 2026. Për Kosovën, kjo ishte jo vetëm humbje financiare. Ishte mesazh politik: nëse Serbia ju sulmon, mos e shqetësoni shumë dialogun. Mund të ankoheni, por ejani në tavolinë.

Bashkimi Evropian u soll si ndërmjetës vetëm për aq sa Kosova dhe Serbia duhej të paraqiteshin si dy palë simetrike. Por nuk ishin simetrike. Njëra ishte shtet anëtar i OKB-së, me ushtri, diplomaci dhe ndikim rajonal. Tjetra ishte Kosovë, shtet i njohur pjesërisht, pa ulëse në OKB, pa anëtarësi në NATO dhe me sovranitet të kufizuar nga prania ndërkombëtare.

Të barazosh përgjegjësinë e tyre në këto rrethana nuk është neutralitet. Është padrejtësi e paketuar si diplomaci.

BE-ja nuk është arbitër i pafajshëm

Për vite na është thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Por çfarë do të thotë kjo kur pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin Kosovën? Çfarë do të thotë kur i njëjti union kërkon nga Kosova zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa nuk arrin ta detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet dhe të përgjigjet për sulmet?

Çfarë do të thotë kur Kosovës i kërkohet të jetë konstruktive, ndërsa Serbia e ndërton mosnjohjen si doktrinë shtetërore? Çfarë do të thotë kur Kosovës i kërkohet të mos e provokojë Serbinë, por askush nuk e pyet Serbinë pse vazhdon ta armatosë, financojë dhe mbrojë strukturën e saj paralele në Kosovë?

BE-ja ka ndihmuar Kosovën. Kjo duhet pranuar. Por ndihma nuk e shlyen padrejtësinë. Investimet nuk e blejnë heshtjen. Flamuri i BE-së në një projekt nuk e bën politikën e saj ndaj Kosovës automatikisht të drejtë.

Kosova nuk duhet ta mohojë ndihmën evropiane, por duhet të heqë dorë nga varësia mendore ndaj saj. Një popull që e mat çdo vendim me pyetjen “çfarë do të thotë Brukseli?” nuk është ende i lirë politikisht.

Bota demokratike ka kujtesë të shkurtër dhe interes të gjatë

Na thonë se Kosova duhet t’i besojë “faktorit ndërkombëtar”. Mirë. Por cili faktor ndërkombëtar? Ai që vjen me fjalor për të drejtat e njeriut dhe largohet me llogari gjeopolitike? Ai që na kërkon të jemi konstruktivë, ndërsa vetë e ndryshon parimin sa herë që një fuqi e madhe e telefonon në mbrëmje?

Le ta marrim Maqedoninë e Veriut. Athina e mbajti me vite të bllokuar për emrin. Shkupi bëri kompromisin e madh të Prespës dhe e ndërroi emrin kushtetues nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut. Iu tha se kjo do ta hapte rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. NATO-ja erdhi. BE-ja jo.

Pastaj doli Bullgaria, me mosmarrëveshje për historinë, gjuhën dhe identitetin, dhe procesi i anëtarësimit mbeti sërish në korridor. AP raportoi se Shkupi pranoi madje edhe kërkesën për ndryshimin e kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare, por ende i kërkohet të japë edhe më shumë prova se është gati për një derë që mund të mos hapet.

Pra, mesazhi i Brukselit është i qartë vetëm në mënyrën e vet të mjegullt: hiqni emrin, ndryshoni kushtetutën, bëni kompromis me historinë, dhe pastaj… do të shohim. Nëse dikush në Kosovë ende mendon se pas një kompromisi tjetër do të na presë një certifikatë lumturie evropiane, le ta pyesë Shkupin se sa kushton një premtim i BE-së kur vjen koha për ta arkëtuar.

Dhe pastaj është Rumania. Rumania dhe jo vetë ajo, por edhe Bullgaria u pranuan në BE më 1 janar 2007, ndërsa Komisioni Evropian vendosi një mekanizëm të posaçëm monitorimi për drejtësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse reformat nuk konsideroheshin të përfunduara. Pra, praktikisht u pranuan pa i plotësuar kushtet.

Sot nuk po them se Rumania nuk duhej të pranohej. Po them diçka më të thjeshtë dhe më të hidhur: kriteret nuk janë gjithmonë ligj. Shpesh janë politikë me kostum juridik.

Për disa vende, BE-ja thotë: hyni tani, reformat i vazhdoni brenda. Për të tjerat thotë: mos hyni askund, sepse ende nuk e keni bindur kontinentin se jeni mjaftueshëm evropianë. Për Kosovën kërkohet perfeksion para hyrjes, ndërsa për të tjerët është shpikur edhe modeli “hyr e rregulloje shtëpinë pasi të hysh”.

Kjo nuk është teori konspirative. Është ajo që shqiptarët e shohin kur krahasojnë raste. Dhe kur një popull e sheh se rregullat nuk zbatohen njësoj, ai fillon të dyshojë jo vetëm te rregullat, por edhe te ai që ia shpjegon rregullat.

Shkojmë më tutje. Kurdët janë shembulli tjetër që duhet ta mbajmë para syve. Për një shekull, ata u shfaqën në dokumentet e fuqive të mëdha si popull që meritonte një atdhe. Traktati i Sèvresit i vitit 1920 parashikonte një rrugë drejt krijimit të një shteti kurd. Pastaj erdhi Lozana më 1923 dhe premtimi u zhduk nga tavolina. Kufijtë u vizatuan mbi kokat e kurdëve dhe ata mbetën të ndarë në Turqi, Irak, Iran e Siri.

Njëqind vjet më vonë, historia u përsërit me uniforma moderne. Kurdeve në Siri iu kërkua të luftonin kundër ISIS-it. Ata luftuan rrugë më rrugë, qytet më qytet, dhe e bënë atë që koalicionet ndërkombëtare nuk donin ta bënin me ushtarët e tyre. U quajtën aleatë, partnerë, forca të guximshme në terren. Kur ISIS-i u mund, aleanca u bë e përkohshme. Kur Turqia hyri në verilindje të Sirisë pas tërheqjes amerikane, kurdët u lanë të ekspozuar. Analizat e kohës e përshkruan këtë si braktisje dhe si humbje të besimit te Amerika.

Nuk po e barazojmë historinë kurde me atë kosovare. Po e kuptojmë mekanizmin. Fuqitë e mëdha i duan popujt pa shtet kur u duhen si ushtarë, si argument ose si tampon. Sapo mbaron beteja, ata kthehen në problem diplomatik. Kurdeve iu tha të ishin realistë pasi kishin qenë të dobishëm. Kosovës i thuhet të jetë konstruktive pasi ka qenë e dobishme për stabilitetin e Evropës.

Kjo është arsyeja pse Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi mirënjohjen ndaj premtimeve. Mirënjohja është virtyt personal. Shteti ndërtohet mbi garanci, kapacitet dhe fuqi.

Edhe Afganistani është mësim. NATO-ja qëndroi atje për gati dy dekada, me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. U ndërtuan institucione, ushtri dhe një shtet që duhej të mbante vetë përgjegjësinë. Në vitin 2021, pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare, qeveria afgane dhe forcat e saj u shembën. NATO-ja pranoi se misioni u mbyll dhe se u përqendrua në evakuimin e personelit dhe afganëve të lidhur me të.

Mijëra afganë që kishin punuar me ndërkombëtarët u bënë brenda natës problem administrativ: disa u evakuuan, disa mbetën, disa u fshehën. Njerëzit që u kërkuan të besonin te rendi i ri u lanë të negocionin vetë me fatin. Demokracia ishte parim derisa u bë e shtrenjtë për t’u mbrojtur.

Sërish, nuk po them se Kosova është Afganistan. Po them se fuqia e një shteti ndikon në çmimin që të tjerët janë gati të paguajnë për të. Shtetet e pafuqishme që nuk kanë aleatë të fuqishëm, institucione të përbashkëta dhe kapacitet vetëmbrojtjeje, në fund mund të përfundojnë si fusnotë në deklaratën e radhës.

Dikush do të thotë se Kosova ka Amerikën. Po, e ka. Dhe pikërisht sepse e dimë çfarë do të thotë të kesh një aleat historik, nuk duhet ta keqpërdorim këtë aleancë duke mbetur i dobët. Aleanca nuk është zëvendësim për shtetin. Është shumëfishues i forcës së shtetit.

Lista nuk mbaron këtu. Populli palestinez ka jetuar për dekada me rezoluta, konferenca dhe “proces paqeje”, ndërsa zgjidhja shtetërore shtyhet nga një takim në tjetrin. Kanë mbetur të bllokuar në një mosmarrëveshje ku parimi i vetëvendosjes përmendet rregullisht, por nuk zbatohet.

Bosnja u ruajt nga shpërbërja, por u la me një shtet të ngrirë, me institucione të komplikuara dhe me një paqe që shpesh duket më shumë si administrim i konfliktit sesa drejtësi e përfunduar.

Këto raste nuk janë të njëjta dhe nuk mund të futen në një thes. Por kanë një emërues të përbashkët: fuqitë ndërkombëtare flasin për parime, pastaj i peshojnë ato me interesin e momentit. Në një rast mbrojnë integritetin territorial. Në një tjetër mbrojnë vetëvendosjen. Diku kërkojnë kompromis. Diku tjetër e quajnë kompromisin të pamundur. Varet kush është në telefon dhe sa fuqi ka pala përballë.

Prandaj është naive t’i thuash Kosovës se duhet të presë pafund, sepse “drejtësia ndërkombëtare në fund fiton”. Shpesh fiton ai që ka aleatë, ekonomi, ushtri, veto ose aftësi për ta bërë problemin të shtrenjtë.

Ne nuk duhet të bëhemi të padrejtë me të tjerët. Por as nuk duhet të jemi të vetmit që besojnë se bota është e drejtë vetëm sepse kështu shkruhet në fjalimet e ambasadorëve.

Haga dhe fatura e mirënjohjes

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhe unë nuk kam ndërmend të bëj sikur kjo ishte një e mërkurë e zakonshme në kalendar. Nuk ishte. Ishte dita kur një pjesë e madhe e establishmentit ndërkombëtar, që për vite na mësoi të jemi mirënjohës, konstruktivë dhe të heshtur, na dërgoi një tjetër faturë morale për luftën tonë.

Gjykata i shpalli fajtorë katërshen e UÇK-së dhe i dënoi me 25, 18, 13 dhe 25 vjet burgim. Sipas gjykatës, përgjegjësia lidhej me ndalime arbitrare, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të personave të cilët i konsideronte kundërshtarë të UÇK-së. Gjykata theksoi se procesi nuk ishte gjykim i legjitimitetit të luftës për pavarësi dhe se nuk trajtonte krimet e forcave serbe, sepse mandati ishte i kufizuar. Por, si kuptohet sot? Kuptohet thjeshtë: UÇK-ja u kriminalizua.

Jemi të hidhëruar, pezmatuar e zemëruar…. Jo sepse duamë që drejtësia të falë krimet e mundshme të shqiptarëve, por sepse kemi parë me vite se si drejtësia ndërkombëtare di të gjejë mikroskopin për shqiptarët dhe teleskopin për Serbinë.

Pavarësisht se u paketua si vendim i drejtësisë, ai ishte vendim politik. Dhe, politikisht, Kosova nuk mund të mos e shtrojë pyetjen: pse për të mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë duhej të krijonim një gjykatë të jashtëzakonshme në Hagë, ndërsa për krimet e Serbisë ende na kërkohet durim? Pse liderët e luftës së Kosovës u dërguan në Hagë me një shpejtësi që Serbia nuk e ka njohur kurrë kur bëhet fjalë për krimet e gjenocidin e vet?

Kosova e krijoi këtë gjykatë nën presion ndërkombëtar. E bëri për ta ruajtur besueshmërinë e vet dhe për të mos humbur mbështetjen e aleatëve. Por kur u dhanë dënimet, të njëjtët aktorë na thanë se kjo ishte vetëm çështje juridike dhe se nuk duhej politizuar.

Individët mund të gjykohen juridikisht, por pasojat janë politike. Kur dënohen figura që për një pjesë të madhe të shqiptarëve përfaqësojnë themelimin e shtetit, aktgjykimi nuk mund të trajtohet si një faturë private. Ai prek kujtesën kombëtare, legjitimitetin politik dhe marrëdhënien e Kosovës me botën.

Nëse Kosova duhet të jetë shtet normal vetëm kur dënohen shqiptarët, ndërsa duhet të jetë “e kujdesshme” kur Serbia sulmon, atëherë ky nuk është rend ndërkombëtar. Është rend me standarde të ndryshme.

Bashkimi me Shqipërinë është hap përpara

Kundërshtarët do të thonë se bashkimi me Shqipërinë është kthim në nacionalizëm. Ky është argument dembel.

Nacionalizmi që kërkon të marrë tokat e fqinjëve me dhunë është një gjë. Bashkimi politik i dy shoqërive që pos që kanë gjuhë, kulturë e identitet kombëtar të përbashkët kanë ADN identike, nëpërmjet vullnetit demokratik dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, është diçka tjetër.

Kush e shpalli pavarësinë e Kosovës? Një popull që nuk pranoi të jetonte nën Serbi. Kush e kundërshtoi bashkimin me Shqipërinë? Për shumë vite, jo populli i Kosovës, por një sistem ndërkombëtar që kishte frikë nga reagimi i Serbisë, Rusisë dhe fqinjëve.

Mund të thuhet se pavarësia ishte zgjidhja më realiste në vitin 2008. Dakord. Por realiteti politik ndryshon. Në vitin 2008, shumëkush besonte se njohjet do të shtoheshin dhe Kosova do të anëtarësohej në organizatat kryesore. Sot e dimë se kjo nuk ndodhi në mënyrën që na u premtua.

Pavarësia duhej të ishte faza e parë e konsolidimit. Njohja ndërkombëtare duhej të ishte faza e dytë. Integrimi në OKB, NATO, Këshillin e Evropës dhe organizatat globale duhej të ishin fazat pasuese. Por procesi u bllokua. Serbia e bllokoi. Rusia e bllokoi. Kina e bllokoi. Pesë vende të BE-së e bllokuan. Ndërsa Kosova vazhdoi të sillej sikur problemi ishte te komunikimi i saj, jo te struktura e padrejtë në të cilën ishte futur.

Nëse shtetësia e Kosovës nuk po arrin ta sjellë barazinë e premtuar, atëherë bashkimi me Shqipërinë nuk është kthim prapa. Është kërkim i një forme më të fortë të sigurisë, përfaqësimit dhe sovranitetit.

Pse Shqipëria?

Sepse Shqipëria është shteti amë i shqiptarëve. Sepse ka dalje në det, porte, territor, përfaqësim diplomatik dhe anëtarësi në NATO. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s më 1 prill 2009. Kosova, e cila e pagoi çmimin më të madh të luftës për t’u mbrojtur nga Serbia, ende nuk është në NATO.

Sepse një bashkësi politike Kosovë-Shqipëri do të kishte një treg më të madh, qasje të drejtpërdrejtë në Adriatik, infrastrukturë të integruar dhe më shumë peshë në negociata. Shqipëria ka burime energjetike dhe naftë. Këto nuk janë pasuri magjike dhe as garanci për mirëqenie, por janë kapacitete që një hapësirë e përbashkët do t’i menaxhonte më mirë.

Sepse Kosova sot paguan çmimin e mungesës së detit, të vogëlsisë së tregut dhe të izolimit diplomatik. Një kamion nga Kosova kalon nëpër korridore dhe procedura që do të ishin më të thjeshta nëse hapësira ekonomike do të ishte e përbashkët. Porti i Durrësit nuk duhet të jetë vetëm destinacion për marrëveshje të përkohshme; duhet të jetë dalje strategjike e Kosovës në botë.

Sepse bashkimi kulturor tashmë ka ndodhur në jetën reale. Njerëzit udhëtojnë, studiojnë, punojnë, martohen, investojnë, shohin të njëjtat televizione dhe flasin të njëjtën ndër-gjuhë. Kuptojnë edhe shakatë e lagjeve të njëri-tjetrit.

Institucionet kanë mbetur prapa shoqërisë. Politika po mundohet të mbajë të ndara gjëra që qytetarët i kanë bashkuar prej kohësh.

Nga përvoja personale e di që ndërkombëtarët kanë frikë se bashkimi Kosovë-Shqipëri do të hapte pyetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbi dhe Greqi. Kjo frikë duhet marrë seriozisht, por jo si veto mbi të drejtën tonë për të menduar.

Kosova nuk duhet të kërkojë territore të huaja. Shqipëria nuk duhet të shpallë pretendime ndaj fqinjëve. Bashkimi duhet të jetë i kufizuar në vullnetin politik të Kosovës dhe Shqipërisë, me kufijtë e fqinjëve të pandryshuar dhe me garanci të forta për të gjitha komunitetet.

Kjo është mënyra për ta çarmatosur propagandën e “Shqipërisë së Madhe”. Në vend se të kërkojmë troje, ne kërkojmë bashkim të dy shteteve shqiptare. Në vend se të kërcënojmë fqinjët, ne garantojmë kufijtë e tyre. Në vend se të ndërtojmë një projekt etnik agresiv, ne ndërtojmë një projekt demokratik dhe evropian.

Por ndërkombëtarët duhet ta kuptojnë edhe diçka tjetër: nuk mund ta përdorin pafund frikën nga “Shqipëria e Madhe” për ta mbajtur Kosovën të vogël, të dobët dhe të bindur. Nëse duan stabilitet, le të ndërtojnë drejtësi. Nëse duan dialog, le të vendosin përgjegjësi. Nëse duan që kufijtë të mos ndryshojnë, le të sigurojnë që shqiptarët brenda kufijve ekzistues të mos mbeten përjetësisht qytetarë të dorës së dytë.

Kushtetuta nuk është varr për vullnetin politik

Po, Kushtetuta e Kosovës thotë se Republika nuk do të kërkojë bashkim me asnjë shtet. Po, ajo e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo është e vërtetë. Por kushtetutat janë krijuar për të rregulluar vullnetin politik të qytetarëve, jo për ta varrosur atë përgjithmonë.

Nëse një shumicë e qytetarëve të Kosovës, përmes një procesi të lirë, demokratik dhe të mbikëqyrur, vendos se dëshiron një formë bashkimi me Shqipërinë, atëherë çështja nuk mbyllet me një fjali të shkruar në vitin 2008. Ajo zgjidhet përmes amendamenteve kushtetuese, marrëveshjeve ndërshtetërore, garancive ndërkombëtare dhe mbrojtjes së pakicave.

Nuk duhet të themi: “Nuk lejohet, prandaj nuk diskutohet.” Duhet të themi: “Kjo është ajo që duam; tani le ta gjejmë mënyrën ligjore dhe demokratike për ta bërë.”

Kushtetuta mund të ndryshohet. Kufizimet mund të negociohen. Marrëveshjet mund të rishikohen. Një popull që i ndalon vetes të mendojë, përpara se ta ndalojë dikush tjetër, nuk është duke mbrojtur shtetin. Është duke mbrojtur burgun e vet politik.

Kosova u shpëtua nga NATO-ja në vitin 1999, por nuk mund ta presë gjithë jetën që aleatët ta zgjidhin çdo dilemë të saj. Miqtë tanë na ndihmuan të çlirohemi. Kjo nuk do të thotë se na kanë blerë të drejtën për të ardhmen.

Miqësia me Amerikën duhet të mbetet bosht i politikës sonë. Marrëdhënia me Evropën duhet të mbetet objektiv strategjik. Por as Amerika, as Evropa nuk duhet të përdoren si arsye për të mos pasur strategji shqiptare.

Kosova nuk duhet të jetë kundër Perëndimit për të qenë me Shqipërinë. Përkundrazi, bashkimi duhet të jetë perëndimor në institucione, demokratik në procedurë, evropian në standarde dhe i lidhur me NATO-n në siguri.

Kjo është përgjigjja ndaj çdo diplomati që do të thotë se nuk është koha: koha nuk vjen vetë. Koha krijohet kur një popull e ndërton argumentin, e bashkon shoqërinë dhe i detyron të tjerët të përgjigjen.

Pas Banjskës, pas sanksioneve, pas bllokimit në OKB, pas refuzimit në Interpol, pas ngecjes në Këshillin e Evropës dhe pas mënyrës se si Kosova u la të paguajë koston e një sistemi që vetë ndërkombëtarët e krijuan, nuk kemi më luksin të sillemi sikur rruga aktuale është e vetmja rrugë.

Ne nuk duhet të kërkojmë leje për të qenë bashkë.

Duhet ta ndërtojmë planin. Duhet ta bëjmë debatin. Duhet ta fitojmë shumicën. Duhet t’i bindim qytetarët, jo ambasadorët. Pastaj duhet të ulemi me Shqipërinë dhe të vendosim formën, afatet dhe garancitë.

Kosova nuk është shtet i përfunduar sepse ka flamur, kushtetutë dhe institucione. Shteti përfundon kur qytetarët e tij e ndiejnë se ai i mbron, i përfaqëson dhe ua hap të ardhmen. Nëse ky shtet vazhdon të mbahet peng nga Serbia, nga pesë kryeqytete të BE-së, nga vetoja ruse e kineze dhe nga frika e kancelarive perëndimore, atëherë duhet të kërkojmë një formë më të fortë të ekzistencës sonë politike.

Bashkimi me Shqipërinë nuk është arratisje nga Kosova. Është përpjekje për ta çuar Kosovën në fazën tjetër të historisë së saj.

Për një shekull, të tjerët na kanë ndarë. Për dekada, të tjerët na kanë administruar. Për vite, të tjerët na kanë këshilluar të presim.

Tani duhet të flasim për bashkimin jo si ëndërr, por si program. Jo si nostalgji, por si strategji. Jo si kërcënim ndaj fqinjëve, por si përgjigje ndaj një shtetësie që po mbahet peng.

Kosova duhet ta synojë bashkimin me Shqipërinë. Dhe, këtë herë, nuk duhet të fillojmë duke pyetur nëse na lejojnë. Duhet të fillojmë duke argumentuar pse na duhet.

JU REKOMANDOJMË

EULEX-i nuk na njeh si shtet, por e mbështet Gjykatën që gjykon në emër të popullit tonë

Koci për ngërçin politik: Fajin e ka edhe Gjykata Kushtetuese – do ta vazhdojë protestën (VIDEO)
29/09/2026 - 15:02

Shkruan: Arianit Koci Zyrtarisht, EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron në kuadër të Rezolutës 1244. Në praktikë, nuk e afirmon Republikën e Kosovës si shtet....

Më shumëDetails

Vendimi i Gjykatës Speciale dhe pse Kosova duhet ta ndryshojë ligjin

Vendimi i Gjykatës Speciale dhe pse Kosova duhet ta ndryshojë ligjin
26/09/2026 - 11:32

Dënimet me nga 25 vjet burgim të shqiptuara ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, së bashku me dënimet për Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, janë të rënda. Por...

Më shumëDetails

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit

Nevoja për kthjelltësi strategjike në kohë zhgënjimi: Lufta jonë është kundër padrejtësisë, jo kundër Perëndimit
19/09/2026 - 14:05

Shkruan: Adri Nurellari Dënimi i udhëheqësve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara ka shkaktuar me të drejtë zemërim, pikëllim dhe ndjenjën e një padrejtësie të thellë. Mirëpo, krahas...

Më shumëDetails

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare

Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare
18/09/2026 - 11:42

VENDIMI I 16 SHTATORIT-THIKË PAS SHPINE PAVARËSISË SË KOSOVËS Shkruan: Bardhyl Mahmuti Reagimet e shumta në të katër anët e botës ndaj vendimit të 16 shtatorit, ka nxitur...

Më shumëDetails

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve

Kuvendi të kërkojë verifikim kombëtar: Nëse Dhomat e Specializuara kanë tejkaluar mandatin, të shqyrtohet marrja e autorizimeve
17/09/2026 - 22:39

Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka krijuar një situatë të re dhe jashtëzakonisht të ndjeshme për Republikën e...

Më shumëDetails

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi

Ben Blushi: Pse u dënua Hashimi
16/09/2026 - 18:39

Shkruan: Ben Blushi Për fat të keq isha i bindur se Hashim Thaci dhe shokët e tij do dënoheshin. Edhe vetë Hashimi e dinte. Kur pashë fytyrën e...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Nga Eli Fara tek Monika Lubonja, 17 gra raportohet të jenë filmuar nga kompozitori Adrian Hila – dalin disa pamje

    Nga Eli Fara tek Monika Lubonja, 17 gra raportohet të jenë filmuar nga kompozitori Adrian Hila – dalin disa pamje

    1520 Shpërndaje
    Shpërndaje 608 Tweet 380
  • Pamje të reja: Adi Hila e dinte për kamerën, momenti kur zbulohet

    400 Shpërndaje
    Shpërndaje 160 Tweet 100
  • Aktore dhe këngëtare zhdukin fotot në studion e Ad Hilës, në videot intime edhe moderatorë dhe biznesmenë

    379 Shpërndaje
    Shpërndaje 152 Tweet 95
  • Skandali i Adrian Hilës, gazetari lëshon deklaratën e fortë: Dy prej grave kanë tentuar t’i …

    461 Shpërndaje
    Shpërndaje 184 Tweet 115
  • Misteri pas videove të Adrian Hilës me personazhet e njohur të botës së showbiz-it

    287 Shpërndaje
    Shpërndaje 115 Tweet 72

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë