Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas vrasjes së dyshuar të një personi të moshës rreth 29-vjeçare dielën mbrëma në fshatin Pogragjë, duke njoftuar se të hënën në mëngjes do ta thërrasë në mbledhje urgjente Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Hyseni ka thënë se Gjilani po përballet me një situatë të rëndë, pasi kjo ngjarje vjen vetëm dy ditë pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten.
“Pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, qyteti ynë u prek përsëri sonte nga një tjetër incident me pasojë humbjen e jetës”, ka shkruar Hyseni.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën të afërmit në të dyja ngjarjet, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Kryetari i Gjilanit ka bërë të ditur se në mbledhjen e nesërme do të koordinohen veprimet me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera të rendit dhe ligjit.
“Së bashku me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe të gjitha organet e rendit dhe të ligjit, do të koordinojmë hapat e menjëhershëm për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në çdo pjesë të komunës sonë”, ka deklaruar ai. /Insajderi.org/













