Analisti dhe trajneri Liridon Leci e ka mohuar sulmin e dyshuar fizik ndaj ish-futbollistes Edonisa Aliu, i cili dyshohet se ka ndodhur të dielën në mbrëmje.
Siç u raportua, Leci u denoncua për sulm fizik ndaj ish-futbollistes Aliu të dielën në mbrëmje. Rasti raportohet se ndodhi në objektin e televizionit RTV Dukagjini në Shkabaj.
RTV Dukagjini njoftoi sot se e ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme bashkëpunimin me analistin, si pasojë e përfshirjes së tij në incidentin e dyshuar të dhunës pas emisionit të dielën.
Por, Leci e ka demantuar këtë pohim të drejtorit të Informacionit të RTV Dukagjinit, Dibran Istrefi. Ai ka thënë se bashkëpunimin me televizionin “e kam ndërprerë vetë, mbrëmë, drejtpëdrejt në emision”.
Reagimi i Liridon Lecit:
Dua të sqaroj se bashkëpunimin me televizionin e kam ndërprerë vetë, mbrëmë, drejtpërdrejt në emision. Nuk ka qenë televizioni ai që ma ka ndërprerë kontratën.
Gjithashtu, dua të theksoj se nuk kam sulmuar askënd dhe as nuk kam pasur për qëllim të fyej apo të denigroj ndonjë person, e aq më pak ndonjë femër.
Prandaj, kërkoj që të mos shtrembërohen fjalët e mia dhe të mos përhapen informacione të pavërteta. Besoj se faktet duhet të flasin vetë dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë dhe për mënyrën se si i interpreton fjalët e të tjerëve.















