Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar agjendën legjislative të Qeverisë, duke pyetur për vizionin e institucioneve.
Tahiri ka pyetur edhe për prioritetet dhe mungesën, siç thotë ai, të një drejtimi të qartë strategjik.
“65 ligje për ma pak se 3 muaj, por ku është vizioni? Qeveria synon të procedojë 65 ligje, por pyetja thelbësore është: a kemi një agjendë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, apo vetëm një listë të gjatë ligjesh pa prioritete të qarta dhe pa drejtim strategjik?”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Ligjet nuk maten me numër, por me cilësi, ndikim dhe rezultate konkrete. Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë ligje, por për ligje të mira që zgjidhin problemet e qytetarëve. Po ashtu, Kuvendi duhet ta ushtrojë rolin e tij institucional edhe në raport me strategjinë për mbrojtjen e të zhvendosurve në Hagë. Qeverisja nuk është statistikë. Është përgjegjësi, vizion dhe rezultate!”, shtoi Tahiri.
Deputeti tha se këto dy pika i ka adresuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit sot.












