Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues për strategjinë shtetërore lidhur me procedurën e Apelit në rastin e ish-katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pranë Dhomave të Specializuara.
Propozim-vendimi është miratuar me unanimitet të plotë nga kabineti qeveritar në një mbledhje të mërkurën.
Propozimin për themelimin e grupit punues për hartimin, bashkërendimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore, e paraqiti para anëtarëve të kabinetit qeveritar kryeministri Albin Kurti.
“Arsyetimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara të Kosovës, konsiderojmë se është i padrejtë, andaj synojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit”, tha Kurti.
Kurti tha se për këtë nevojitet një “strategji shtetërore” dhe një “organizim që i tejkalon dallimet partiake”.
Grupi-punues do të kryesohet nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Sipas kryeministrit, pjesë e grupit punues do të jenë edhe përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës.













