Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të qeverisë pas zgjedhjes së Presidentes së vendit, ka uruar qytetarët për konstituimin e plotë të institucioneve të vendit.
Kurti në hapje të mbledhjes përsëriti ankesën se qe nga 2025-a nuk merrte “jetë” formimi i institucioneve të reja, sipas mandatit që i jepnin qytetarët, për shkak të “bllokadave”.
“Nga janari 2025, praktikisht tërë kohën ishim nëpër fushata të pandërprera zgjedhore ngaqë mandati që merrnim nga qytetarët, nuk merrte jetë me konstituim të plotë të institucioneve. Fillimisht, bllokadë Kuvendi, pastaj Qeveria e në fund të Presidentit. Por, më në fund u zgjodh edhe kjo nyje. Javën e kaluar pas shumë përpjekjesh qe nga certifikimi i rezultateve, Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11-të, zgjodhi Presidenten e shtatë të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula. Zgjedhja e Presidentes shënon edhe përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve pas konstituimit të Kuvendit e formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës!”













