Një tjetër skandal i rëndë në sektorin e shëndetësisë private në Kosovë është zbuluar nga Inspektorati Shëndetësor, i cili ka kapur në flagrancë Institucionin Privat Shëndetësor (IPSH) Ambulanca Specialistike e Otorinolaringologjisë “Otokirurgjia Sh.P.K” në Prishtinë, në pronësi të Dr. Emina Ramku Mekollit.
Veriu.info ka siguruar një raport inspektimi të realizuar më datë 01.06.2026 në “Otokirurgjia”, ku është konstatuar se institucion shëndetësor ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, duke ofruar shërbime kirurgjike dhe specialistike të palicencuara dhe të fshehura nga sistemi zyrtar.
Operacionet ilegale të zbuluara në fletore private
Gjatë kontrollit të detajuar në “Otokirurgjia”, inspektorët shëndetësorë kanë hasur në një fletore pune të mjekes Emina Ramku Mekolli, ku ka dalë në pah e vërteta se çfarë është ofruar fshehurazi brenda kësaj klinike.
Në këtë fletore dëshmohet qartë se janë kryer ndërhyrje kirurgjikale të rënda dhe shërbime të palajmëruara e të palicencuara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA) të Ministrisë së Shëndetësisë:
- Septoplastika – e kryer tek pacientët me inicialet F.C., R.M., L.S., etj.
- Timpanoplastika – e kryer tek pacienti E.F.
- Reponimi (vendosja) e eshtrave të hundës – i kryer tek pacienti R.P.
Për më tepër, këto shërbime dhe ndërhyrje kirurgjikale nuk ishin të regjistruara fare në regjistrin zyrtar të pacientëve të institucionit, por u regjistruan vetëm në mënyrë ilegale në fletoren e punës së mjekes, duke shkelur rëndë dispozitat ligjore.



Çka janë në fakt këto shërbime të palicencuara:
- Septoplastika – Është ndërhyrje kirurgjike për korrigjimin e septumit (murit kërcor e kockor të hundës) te pacientët me devijim. Kjo procedurë kryhet për të rregulluar frymëmarrjen, por kërkon kushte të mirëfillta kirurgjike.
- Timpanoplastika – Përbën një ndërhyrje delikate kirurgjike për rindërtimin e daulles së veshit apo kockave të dëmtuara të veshit të mesëm, me qëllim parandalimin e infeksioneve dhe rikthimin e dëgjimit.
- Reponimi (vendosja) e eshtrave të hundës – Është procedurë mjekësore për rikthimin e eshtrave të thyer të hundës në pozitën anatomike pas frakturave apo lëndimeve fizike, për të shmangur deformimet e përhershme dhe bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes.
Dhoma e fshehtë me aparatura kirurgjike dhe urdhri i Inspektoratit
Gjatë inspektimit të hapësirave të institucionit në katin e dytë, inspektorët zbuluan një dhomë të pajisur me aparatura dhe pajisje kirurgjike, të cilat ishin të mbuluara dhe të pluhrosura. Edhe pse nga udhëheqësja u deklarua se ato gjoja janë jashtë funksionit, prania e tyre brenda një ambulance specialistike pa licencë për sallë operacioni ka alarmuar autoritetet.

Inspektorati Shëndetësor i ka lëshuar urdhër të prerë subjektit:
- Ndalimin e menjëhershëm të ofrimit të shërbimeve të palicencuara deri në plotësimin e kushteve dhe licencimin zyrtar.
- Largimin e aparaturave dhe pajisjeve kirurgjike nga institucioni brenda një afati prej 10 ditësh.
- Përmirësimin e menjëhershëm të mbajtjes dhe plotësimit të regjistrit të pacientëve sipas udhëzimeve administrative.
Për shkak të këtyre shkeljeve të Nenit 42 të Ligjit për Shëndetësi, ndaj IPSH “Otokirurgjia SHPK” është marrë edhe vendim për gjobë, duke u vënë në pah edhe një herë rrezikun dhe kaosin që mbretëron në disa nga institucionet private shëndetësore në vend.
Shënim: Foto kryesore e lajmit (ballinë) është e gjeneruar me AI
Pamje të hapësirës së pajisje dhe shërbime të palicencuara:


















