Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentativë për kontrabandimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti është zbuluar më 22 tetor, gjatë kontrollit të një kamioni me mallra që po hynte në Kosovë.
Gjatë kontrollit, zyrtari doganor ka vërejtur një hapësirë të modifikuar në kamion. Kur është kontrolluar kjo hapësirë, janë gjetur disa qese, për të cilat drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se përmbanin rroba personale.
Megjithatë, kontrolli i detajuar ka zbuluar 300 copë produkte për mbrojtjen e bimëve, të cilat nuk ishin deklaruar në Doganë. Për to, sipas njoftimit, nuk është paraqitur faturë apo dokumentacion përkatës.
Për këtë rast është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave.
Dogana ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet për parandalimin e kontrabandës dhe futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Kosovës.
















