Sipas dosjes së Prokurorisë, ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, ishte përballur me akuza për kanosje me vrasje. Arlinda, sipas dokumenteve të cituara në media, kishte raportuar për dhunë fizike e psikologjike dhe kërcënime, ndërsa kishte kërkuar ndihmë nga institucionet përkatëse.
Më 23 tetor Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Sylajt për kanosje, ndërsa viktima kishte njoftuar organet e drejtësisë për rrezikun që i kanosej tri ditë para se të vritej.
Më 27 tetor, Gjykata Themelore në Pejë i caktoi Sylajt një muaj paraburgim nën dyshimin për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës. Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se e kishte kërcënuar Arlindën edhe pak orë para vrasjes, pavarësisht urdhrit mbrojtës në fuqi.
Në dosjen e Prokurorisë përmenden edhe rrethana të tjera të konfliktit familjar, përfshirë kërkesën e djalit të mitur për urdhër mbrojtës ndaj nënës. Sipas raportimeve, fëmija nuk e kuptonte plotësisht domethënien e këtij urdhri.
Ndërkohë, për vrasjen e Arlinda Zekajt, i dyshuari është Albert Sylaj, ish-kunati i saj. Para arrestimit nga ana e policisë, ai kishte shprehur gatishmërinë për t’u vetëdorëzuar, por kishte kërkuar që fillimisht t’i lejoheshin dhjetë minuta për të biseduar me familjen.
Ai u arrestua të martën rreth orës 23:40 në Deçan, pas angazhimeve operative dhe hetimore të policisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi u realizua pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore dhe bashkëpunimit me qytetarët
Rasti ka rikthyer vëmendjen te trajtimi institucional i rasteve të dhunës në familje dhe te mbrojtja e personave që raportojnë kërcënime.
Hetimet dhe procedurat gjyqësore për rastin vazhdojnë, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarve duhet të përcaktohet nga gjykata. /Telegrafi/

















