Qeveria e Kosovës miratoi tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Suedisë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve me Mbretërinë e Suedisë në fushën e drejtësisë, që përfshijnë ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjeve, theksoi rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit juridik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë dhe të krijimit të bazës së nevojshme ligjore për trajtimin më efektiv të çështjeve penale me element ndërkombëtar.
* Marrëveshja për ekstradim përcakton kushtet dhe procedurat për dorëzimin e personave të kërkuar për ndjekje penale ose për vuajtjen e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet gjyqësore.
* Marrëveshja për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në çështjet penale krijon mekanizma për shkëmbimin e provave, realizimin e veprimeve procedurale dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë jurike.
* Marrëveshja për transferimin e personave të dënuar rregullon procedurat për transferimin e tyre në shtetin ku kanë vendbanimin e përhershëm, duke synuar krijimin e kushteve më të përshtatshme për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri.
Ministrja Gërvalla tregoi se ratifikimi i këtyre Marrëveshjeve, synon të forcojë bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, të lehtësojë trajtimin e procedurave penale ndërkufitare dhe të kontribuojë në luftimin e krimit, në përputhje me standardet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

















