Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”, nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka konfirmuar se ndaj Ramës janë ndërmarrë veprime hetimore në kuadër të këtij rasti.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, tha Luta.
Ajo ka theksuar se Prokuroria Speciale është duke vazhduar me veprimet hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha ajo.















