Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR), Gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të KFOR-it, vizita rikonfirmon angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
Gjatë takimit, Grynkewich dhe Vergori diskutuan procesin e optimizimit të KFOR-it, i cili bazohet në vlerësimin e zhvillimeve pozitive në mjedisin e sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
KFOR-i ka bërë të ditur se çdo ndryshim në madhësinë dhe përbërjen e misionit do të realizohet në mënyrë graduale dhe të kalibruar, duke u mbështetur në vlerësimet e vazhdueshme në terren.
Po ashtu, është theksuar se përshtatjet do të mbeten të kthyeshme në rast të zhvillimeve të rëndësishme që mund të ndikojnë në sigurinë lokale dhe stabilitetin rajonal.
Gjatë vizitës, dy gjeneralët u takuan edhe me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Listës Serbe. Në këto takime u theksua se siguria e qëndrueshme kërkon zgjidhje politike, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim.
Vizita përfundoi në Manastirin e Graçanicës, ku Grynkewich dhe Vergori u takuan me përfaqësues fetarë.
Në fund, KFOR-i rikonfirmoi se do të vazhdojë të jetë garantues i stabilitetit dhe të kontribuojë për një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja.
















