Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë deklarata të ndryshme për raportin e tij me Policinë e Kosovës, varësisht nga situata në të cilën është gjendur. Kur ka folur për autoritetin e institucioneve, ai e ka përshkruar Policinë si agjenci ekzekutive brenda Ministrisë që drejton. Por, pas dështimeve institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, përgjegjësia politike nuk u shoqërua me dorëheqjen e tij. Nga detyra u largua drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, pasi ofroi dorëheqjen, të cilën Kurti ia pranoi.
Më 2 qershor të këtij viti, në një deklarim për RTV Dukagjinin, Sveçla kishte theksuar se Policia e Kosovës nuk është institucion i pavarur, por agjenci ekzekutive brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe, rrjedhimisht, brenda Qeverisë.
“Policia e Kosovës nuk është institucion i pavarur. Policia e Kosovës është agjenci ekzekutive brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, rrjedhimisht brenda Qeverisë, dhe ajo punon bazuar në ligjet, doktrinat dhe planet qeveritare të Qeverisë aktuale”, kishte deklaruar Sveçla.
Këtë qëndrim për raportin e tij me Policinë, ministri e konfirmoi edhe kur u pyet nëse ka kompetencë t’i japë urdhër drejtorit të Policisë.
Përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Absolutisht”.
Por, kur u përball me pyetjet për përgjegjësinë politike të Qeverisë pas dështimeve që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt, qëndrimi i Sveçlës ishte tjetër.
I pyetur nëse Qeveria kishte dështuar në këtë rast, ministri kërkoi nga gazetari t’ia sqaronte se për cilën përgjegjësi të Qeverisë po fliste.
Ndërsa për kërkesat që ai dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të japin dorëheqje, Sveçla tha se nuk beson se largimi i tyre nga pozitat do të kontribuonte në fuqizimin e të drejtave të grave.
“Unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj, sepse ne jemi të angazhuar 100 për qind në atë pikë”, deklaroi Sveçla.
Kështu, derisa ministri e njeh autoritetin e tij ndaj Policisë dhe e përshkruan atë si pjesë të strukturës ekzekutive të Qeverisë, në momentin kur ky zinxhir institucional përballet me dështime serioze, ai nuk e sheh dorëheqjen e tij si përgjigje.
Në konferencë, Sveçla bëri të ditur se raporti për rastin e Arlindës kishte evidentuar shkelje serioze nga zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë. Në mesin e tyre ishin mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë dhe mosndërmarrja e masave pas kërkesës për rivlerësimin e rrezikut.
Për këto shkelje, 11 zyrtarë policorë ishin suspenduar, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, komandantin e stacionit policor dhe zyrtarë të tjerë të zinxhirit komandues.
Ndërkohë, në nivelin më të lartë të Policisë, Gazmend Hoxha dha dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Kryeministri Albin Kurti ia pranoi dorëheqjen dhe e liroi nga detyra. Me propozim të Sveçlës, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë u caktua Fehmi Hoti.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, kryeministri Kurti, pas propozimit nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, caktoi ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti”, thuhet në njoftim.
Dorëheqja e Hoxhës dhe suspendimi i 11 zyrtarëve policorë janë veprimet konkrete të ndërmarra në nivelin e Policisë.
Por, përgjegjësia për funksionimin e institucioneve nuk përfundon te drejtori dhe zyrtarët që janë nën urdhrat e tij.
Nëse Policia është, siç thotë vetë Sveçla, agjenci ekzekutive brenda Ministrisë dhe Qeverisë, atëherë mbetet pyetja se ku fillon dhe ku përfundon përgjegjësia politike e ministrit që e mbikëqyr atë.
Në rastin e Arlinda Zekajt, kërkesa për përgjegjësi institucionale është drejtuar edhe ndaj ministrit Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Megjithatë, deri më tani, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dorëheqje.
Sveçla vazhdon të mbajë postin e ministrit, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ofroi dorëheqjen, të cilën kryeministri Albin Kurti ia pranoi.
Masa u ndërmorën edhe në Prokurorinë Themelore në Pejë. Këshilli Prokurorial i Kosovës suspendoi nga detyra kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj dhe zëvendëskryeprokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila njëkohësisht ushtronte detyrën e koordinatores për rastet e dhunës në familje.
Kështu, pas dështimeve në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, masa u ndërmorën ndaj drejtuesve të Policisë dhe Prokurorisë, ndërsa përgjegjësia politike në nivelin ministror nuk u shoqërua me dorëheqje.


















