Partia Demokratike Evropiane, ka ngritur alarm për shkatërrim të dokumenteve zyrtare të shkatërruara në Serbi, pas fitores së Listës Studentore.
Në postimin, theksohet se prokurori i Lartë ka urdhëruar tashmë ndërmarrjen e masave urgjente për të parandaluar shkatërrimin e dosjeve në institucionet shtetërore, banka dhe agjencitë e sigurisë.
‘‘Në të gjithë #Serbinë, raportimet dhe pamjet filmike për shkatërrimin e dokumenteve zyrtare kanë shkaktuar alarm, pas fitores së lëvizjes studentore ndaj Vuçiqit. Dje, Prokurori i Lartë Publik urdhëroi ndërmarrjen e masave urgjente për të parandaluar shkatërrimin e dosjeve në institucionet shtetërore, banka dhe agjencitë e sigurisë. Prioritet i qeverisë së re duhet të jetë llogaridhënia: të ruhet çdo dokument, të sigurohet çdo dosje dhe drejtësia të veprojë mbi bazën e provave’’, thuhet në postim.
Në anën tjetër, ministria e Jashtme e Serbisë, ka demantuar raportimet lidhur shkatërrimin e dokumenteve, duke thënë se, ministria i ruan ato me ‘’përgjegjësi dhe profesionalizëm’’.
‘‘Ministria e Punëve të Jashtme i demanton kategorikisht pretendimet e pavërteta dhe dashakeqe për shkatërrimin e qëllimshëm të dokumentacionit zyrtar. Ministria e Punëve të Jashtme, në të gjitha rrethanat, e ruan dokumentacionin zyrtar me përgjegjësi dhe profesionalizëm, ndërsa me të vepron ekskluzivisht në përputhje me ligjin dhe rregulloret e brendshme. Pretendimet e publikuara në rrjetet sociale dhe të transmetuara nga disa media janë plotësisht të pavërteta. E dënojmë ashpër përhapjen e kësaj të pavërtete, përmes së cilës mashtrohet opinioni publik dhe dëmtohet reputacioni i Ministrisë dhe i punonjësve të saj. Ministria e Punëve të Jashtme aktualisht është plotësisht e përqendruar në realizimin e rregullt të procesit të dorëzim-pranimit të detyrave, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së funksionimit të institucioneve dhe shërbimeve jetike shtetërore’’, thuhet në reagimin e ministrisë.


















