Binance, bursa më e madhe në botë e kriptovalutave, ka njoftuar se ka mbuluar 90% të aseteve me vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh (4.7 miliardë paund), të vjedhura gjatë një sulmi kibernetik të enjten.
Pjesa e mbetur prej 10% mund të kërkojë më shumë kohë për t’u siguruar në sasitë e nevojshme, ka bërë të ditur kompania, raporton BBC.
Binance ka premtuar vazhdimisht se do të mbulojë 100% të humbjeve nga ajo që dyshohet të jetë sulmi më i madh kibernetik në historinë e kriptovalutave. Kompania ka deklaruar se ka ndarë më shumë se 6.34 miliardë dollarë nga fondet e saj për ta realizuar këtë.
“Binance do të përballojë ndikimin financiar të këtyre fondeve të vjedhura, e jo përdoruesit tanë”, thuhet në një deklaratë të kompanisë të publikuar të shtunën.
Kompania bëri të ditur se asetet janë rikthyer përmes fondeve të ndryshme dhe rezervave të saj financiare.
Sipas Binance, janë mbuluar të gjitha asetet në kriptovalutat Bitcoin, Ethereum dhe Tether, si dhe shtatë kriptovaluta të tjera që tregtohen gjerësisht.
Kompania tha se synimi i radhës është rikthimi i shërbimeve të tërheqjes së mjeteve për përdoruesit. Ajo bëri të ditur se është në rrugën e duhur për të rihapur tërheqjet të dielën, më 1 nëntor, dhe se do të publikojë informacione të tjera pasi të konfirmohen detajet.
Ky sulm kibernetik besohet të jetë më i madhi në histori, duke tejkaluar rekordin e vjedhjes së 1.5 miliardë dollarëve nga bursa Bybit në vitin 2025.
Hetimet fillestare të Binance sugjeruan se laptopi i një inxhinieri ishte komprometuar, duke mundësuar tërheqje të paautorizuara të mjeteve. Megjithatë, në një përditësim të mëvonshëm, kompania tha se kishte zbuluar edhe “pika të tjera të cenimit të sigurisë”.
Richard Teng, bashkëdrejtor ekzekutiv i Binance, tha se sulmi ishte kryer nga më shumë se një person dhe se hakerët kishin përdorur metoda të sofistikuara për të fshehur gjurmët, përfshirë një “mekanizëm vetëshkatërrues”.
Të premten, kompania njoftoi se kishte ngrirë rreth 3 miliardë dollarë të aseteve të vjedhura, pas bashkëpunimit me organet e rendit, kompanitë e inteligjencës dhe partnerët e saj.
Hetimet janë ende në vazhdim, shtoi kompania.
Shërbimi Sekret i SHBA-së deklaroi të premten se po punon “pa ndërprerë” me partnerët e sektorit privat “për të identifikuar, ngrirë, gjurmuar dhe rikuperuar fondet” e vjedhura nga Binance.
Dy kompani të mëdha të analizës së teknologjisë blockchain kanë bërë të ditur se kanë informacione të besueshme që tregojnë se përgjegjës për sulmin mund të jetë një grup i mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut, i njohur si The Lazarus Group, ose me emrin tjetër TraderTraitor.
Byroja Federale e Hetimeve (FBI) deklaroi se Koreja e Veriut ishte përgjegjëse për vjedhjen e 1.5 miliardë dollarëve nga bursa Bybit vitin e kaluar.
Koreja e Veriut ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në këto sulme.
Binance, e themeluar në Kinë në vitin 2017, u mundëson përdoruesve të blejnë, shesin dhe tregtojnë asete digjitale. Vlerësohet se ka qindra miliona përdorues në mbarë botën.
Kriptovalutat janë asete digjitale që nuk ekzistojnë fizikisht dhe të cilat mund të përdoren përmes kuletave digjitale ose kompjuterëve.
















