Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Zahir Pajazitin, në ditëlindjen e tij, duke vlerësuar kontributin e tij në organizimin dhe fillimin e luftës çlirimtare.
Përmes një postimi, Haxhiu ka rikujtuar angazhimin e Pajazitit për lirinë e Kosovës, përgatitjen e luftëtarëve të rinj dhe aksionet e para kundër forcave policore serbe.
Ajo ka theksuar se guximi dhe vendosmëria e tij i dhanë emrin “Pushka e parë e lirisë”, ndërsa ka kujtuar edhe rënien e tij më 31 janar 1997, në Pestovë, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Sipas Haxhiut, rënia e tyre u bë nxitje për shumë të rinj e të reja që t’i bashkoheshin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund të mesazhit të saj, kryetarja e Kuvendit ka nderuar veprën dhe sakrificën e heroit Zahir Pajaziti dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.“Lavdi Zahir Pajazitit dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë!”, ka shkruar Haxhiu.














