Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar përmes një postimi lidhur me protestën e sotme, duke thënë se ajo është e para që adreson drejtpërdrejt shkakun kryesor të problemeve në vend – gjendjen e rëndë ekonomike.Ymeri ka theksuar se protestat nuk duhet të shihen si kuti votimi ku numërohen pjesëmarrësit, por si shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes.
Ajo ka kritikuar Qeverinë për propagandë dhe për mosbesimin që, sipas saj, ka krijuar te qytetarët, duke përmendur edhe ndërhyrjen në krijimtarinë artistike dhe premtimet për investime, përderisa, siç u shpreh, nuk respektohen as bujqit.Deputetja e LDK-së ka deklaruar se mbështet protestat paqësore, pa paragjykuar apo vlerësuar organizatorët e tyre, ndërsa ka shprehur bindjen se ato do ta arrijnë efektin e tyre kur qytetarët të jenë të gatshëm për t’i dhënë fund, siç e cilëson ajo, diktatit në rritje.
Në reagimin e saj, Ymeri ka përmendur edhe rastet e vdekjeve që ia atribuon papërgjegjësisë së Qeverisë, si dhe paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.Në fund, ajo ka shprehur bindjen se largimi i pushtetit aktual është i pashmangshëm, duke theksuar se kjo do të ndodhë falë vullnetit të qytetarëve që duan një Kosovë më të zhvilluar dhe me kushte më të mira jetese.














