Reshjet e shiut nuk i kanë ndalur protestuesit në Tiranë, të cilët kanë vijuar tubimin dhe marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pjesëmarrësit kanë vazhduar thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët janë grumbulluar përpara godinës së Kryeministrisë, ku kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të Ramës nga detyra. Në kor, protestuesit kanë brohoritur vazhdimisht “Rama jep dorëheqjen!”, ndërsa një tjetër slogan i dëgjuar fuqishëm në bulevard ka qenë “Shqipëria kërkon revolucion”.
Gjatë tubimit, protestuesit kanë drejtuar thirrje edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke e akuzuar atë për mbrojtjen e qeverisë. Slogane si “Polici këtu mbron krimin, jo ne” dhe “Polici e krimit” janë artikuluar nga pjesëmarrësit gjatë marshimit.
Me këtë slogan, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike, ndërsa kanë kërkuar ndryshim të sistemit.
Një tjetër thirrje që ka shoqëruar protestën është “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa sigurie pranë godinës së Kryeministrisë. Autoritetet kanë larguar automjetet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të menaxhuar situatën në zonën ku po zhvillohet protesta.













