Tashmë deklaratat e kryeministrit Kurti nuk janë befasi për askënd, pasi ai zgjedh shpesheherë të flasë për “sukseset” e Kosovës nga kryeqendrat më të mëdha botërore, sikurse kësaj here kur foli nga Parisi duke thënë se Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Kurti një deklaratë të tillë e bëri ditën kur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi të dhënat për inflacionin e tetorit, i cili ka arritur në 7.1 për qind në nivel vjetor.
Pra, derisa jetesa e qytetarëve të Kosovës po vazhdon të vështirësohet, Kurti nga Parisi flet për rritje ekonomike.
Ndërkohë, të dhënat e ASK-së tregojnë se çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 7.1 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Shtrenjtimi më i madh është regjistruar te transporti, me 21.5 për qind, ndërsa strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse janë shtrenjtuar për 9.7 për qind./Veriu.info/













