Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik të 26-vjeçares, e cila dyshohet se kishte gëlltitur një qese që përmbante substancë narkotike dhe që më pas humbi jetën.
Sipas njoftimit të spitalit, e reja ishte dërguar për herë të parë në Emergjencë rreth orës 19:00 të së dielës, nga Policia e Kosovës. Aty iu nënshtrua disa ekzaminimeve mjekësore, përfshirë radiografinë e pjesës torako-abdominale, ultrazërin e abdomenit dhe ekzaminimin gjinekologjik.
Spitali ka bërë të ditur se nga këto ekzaminime nuk janë evidentuar gjetje pozitive dhe se, në bazë të vlerësimit mjekësor, pacientja kishte qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe ishte liruar nga Emergjenca.
Por, disa orë më vonë, rreth orës 00:45, ajo është dërguar sërish në spital, kësaj radhe nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë janë ndërmarrë masat e reanimimit kardiopulmonar dhe është konsultuar edhe mjeku anesteziolog, por, pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, vdekja e saj është konstatuar.














