Operacioni i gjerë antidrogë i koduar “Heshtja”, i zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, ka vënë në pranga gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në një grup të organizuar të trafikimit dhe shpërndarjes së kokainës – në mesin e të cilëve është edhe ish-ministri Astrit Haraqija.
Në kuadër të këtij operacion janë arrestuar edhe Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli Ramadani dhe Alban Maloku.
Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga Veriu.info, Jeton Stanovci dyshohet se ish drejtuesi i këtij grupi që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Në faqen 14 të kërkesës së prokurorit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve, ku flitet për rrezikun e arratijes së të arretuarve, thuhet se të pandehurit Mërgim Stanovci dhe Albert Krasniqi ndodhen në arrati.


Tutje, prokuroria pretendon se furnizimin e grupit me lëndë narkotike, përveç Mërgim Stanovcit e bënin edhe Astrit Haraqija dhe Alban Maloku.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe pesë të arrestuarve tjerë në aksionin kundër trafikimit të kokainës, Jeton Stanovci, Gëzim Feka, Arjanit Beqiri, Albana Xhemajli-Ramadani dhe Alban Maloku. /Veriu.info















