Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, Kosova ka lidhur këtë muaj kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, për përfaqësimin e interesave të saj në Uashington. Marrëveshja është nënshkruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe është regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).
Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare. Sipas saj, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, përkatësisht 600 mijë dollarë në vit, ndërsa pagesat do të realizohen në këste tremujore prej 150 mijë dollarësh. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, me miratim paraprak të MPJD-së.
Në bazë të marrëveshjes, Ballard Partners do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, duke këshilluar dhe përfaqësuar Kosovën për çështje që i konsideron të nevojshme pranë Qeverisë federale amerikane. Shërbimet përfshijnë lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.
Megjithatë, kontrata nuk përcakton objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës. Dokumenti është nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard.
Ballard Partners ishte angazhuar nga Kosova edhe në vitin 2017, gjatë kohës kur Hashim Thaçi ishte president. Ndërkaq, kontratat e fundit të lobimit të MPJD-së në Shtetet e Bashkuara ishin lidhur në vitin 2023, kur ministria udhëhiqej nga Donika Gërvalla, aktualisht ministre e Drejtësisë.














