Ngjarja e rëndë në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku mbeti i vrarë S.D., ka zgjatur më pak se dy minuta. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentet kur viktima arrin në parking, pret të lirohet një vend dhe më pas përballet me Rrahman Hotin, i cili po drejtonte një veturë Audi.
Pas një diskutimi mes tyre, viktima largohet drejt veturës së tij, ndërsa Hoti ndalon disa metra më tutje. Ai del nga vetura me armë në dorë dhe shtie disa herë në drejtim të S.D., pavarësisht tentimit të bashkëshortes së viktimës për ta ndaluar. Të shtënat ndodhin në praninë e saj dhe të fëmijës së mitur.
Sipas pamjeve, i dyshuari vazhdon të shtijë edhe nga ana tjetër e veturës, para se ta vendosë armën në bel dhe të largohet nga vendi i ngjarjes. Policia kishte arritur në vendin e ngjarjes në orën 12:13, vetëm pak minuta pas raportimit të të shtënave.
Ndërkohë, burime të emisionit hulumtues “Dosja” kanë bërë të ditur se viktima dhe i dyshuari nuk njiheshin mes vete dhe se konflikti kishte nisur për një vend parkingu. Hoti dyshohet se kishte pretenduar se e kishte parë viktimën duke kërkuar diçka nën ulësen e veturës dhe kishte dyshuar se po kërkonte armë.














