Policia e Kosovës ka identifikuar dhe shoqëruar në polici një 19-vjeçar, i dyshuar për vjedhjen e një veture të tipit “Golf 2” në Shtime.
Rasti ishte raportuar më 24 nëntor, ndërsa pas veprimeve hetimore, vetura është gjetur dhe i është kthyer pronarit, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
“Me datën 24.11.2026, rreth orës 18:15, në stacionin policor në Shtime është raportuar vjedhja e një veture të tipit „Golf 2“, me ngjyrë të kaltër me targa vendore. Sipas ankuesit, vetura ishte e parkuar në oborrin e shtëpisë së tij, në rrugën “Shote Galica“ në Shtime, ndërsa çelësat kishin mbetur brenda veturës. Pas raportimit të rastit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe më 25.11.2026 kanë arritur ta identifikojnë dhe sigurojnë të dyshuarin, M.M., 19 vjeç, i cili është intervistuar në lidhje me rastin.”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se, në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si vepër penale “Vjedhje“ dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave.
Kurse, automjeti i vjedhur i është kthyer pronarit.














