Avokati Besnik Berisha, i ftuar në emisionin “Adresa” në Kanal10, ka dhënë detaje të tjera lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, duke deklaruar se ekzekutimi i saj kishte ndodhur në prani të vjehrrës, dy djemve të kunatit dhe djalit të viktimës.
Berisha ka ngritur pikëpyetje për mosreagimin e familjarëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes, duke u ndalur veçanërisht te ish-vjehrra e viktimës, e cila është arrestuar dy ditë më parë. Sipas tij, ajo nuk kishte tentuar t’i ofronte ndihmë Arlindës pas ekzekutimit.
“Dikujt mund t’i ketë dhimbur një grua e moshuar në stacion, me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, me ftohtësinë e saj maksimale, ka thënë se nuk e ka vrarë. Ajo nuk e mori mundimin t’i afrohej nënës së nipit të saj, e la të shtrirë prapa derës, ku u ekzekutua barbarisht”, ka deklaruar Berisha.













