AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të mishit të bluar Premium “Çobani” dhe përshutës së gjedhit, të shitura nga VIVA FRESH, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar tejkalim të vlerës së lejuar për bakterin E. coli në produktin e parë dhe praninë e Listeria monocytogenes në të dytin. Këta baktere mund të shkaktojnë infeksione të rënda, përfshirë dëmtimin e veshkave, meningjitin dhe helmimin e gjakut.
Dy produkte të mishit të shitura në rrjetin e marketeve VIVA FRESH janë tërhequr nga tregu, pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar mospërputhje me kriteret mikrobiologjike për sigurinë e ushqimit, raporton Veriu.info.
Në mishin e bluar Premium “Çobani”, loti nr. 13112147, analizat laboratorike kanë treguar tejkalim të vlerës së lejuar për bakterin Escherichia coli. Nga pesë njësitë e testuara, në tri prej tyre është konstatuar tejkalim i kufirit prej 50 CFU/g, ndërsa vlera më e lartë e regjistruar ishte 153 CFU/g.
Ndërkaq, në përshutën e gjedhit, loti nr. 1211695, laboratori ka konfirmuar praninë e bakterit Listeria monocytogenes, në kundërshtim me kriterin që kërkon mungesën e këtij bakteri në 25 gramë produkt, raporton Veriu.info.
E. coli mund të shkaktojë infeksione dhe dëmtim të veshkave
Escherichia coli është bakter që përfshin disa lloje, disa prej të cilave mund të shkaktojnë sëmundje serioze te njerëzit.
Llojet e rrezikshme të këtij bakteri mund të shkaktojnë diarre, dhimbje të forta të barkut dhe, në disa raste, diarre me gjak.
Një nga pasojat më të rënda që mund të shkaktojnë disa lloje të E. coli është sindroma hemolitiko-uremike, e cila mund të dëmtojë rëndë veshkat, të shkaktojë çrregullime të gjakut dhe, në raste të rënda, të rrezikojë jetën e pacientit.
Fëmijët e vegjël janë veçanërisht të rrezikuar nga ky komplikim.
Megjithatë, në komunikatën e AUV-së nuk është specifikuar se për cilin lloj të E. coli bëhet fjalë në mishin e bluar “Çobani”. Për këtë arsye, nuk mund të thuhet nëse në produkt është zbuluar lloji i bakterit që mund të shkaktojë dëmtime të tilla në organizëm.
Listeria mund të shkaktojë meningjit dhe helmim të gjakut
Në përshutën e gjedhit është konfirmuar prania e Listeria monocytogenes, bakter që shkakton sëmundjen e njohur si listeriozë dhe që mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin.
Infeksioni mund të shkaktojë temperaturë, dhimbje të muskujve, të përziera dhe diarre. Në rastet më të rënda, bakteri mund të përhapet në gjak dhe në sistemin nervor, duke shkaktuar sepsë, pra helmim të gjakut, si dhe meningjit, infeksion që prek cipat mbështjellëse të trurit dhe palcës kurrizore.
Listeria paraqet rrezik të veçantë për gratë shtatzëna, pasi infeksioni mund të shkaktojë abort spontan, lindje të parakohshme ose infektim të foshnjës. Në rrezik më të madh janë edhe të moshuarit dhe personat me imunitet të dobësuar.
Një karakteristikë tjetër shqetësuese e këtij bakteri është se mund të shumëzohet edhe në temperatura të frigoriferit. Kjo e bën veçanërisht problematike praninë e tij në produkte që konsumohen pa pasur nevojë për gatim të mëtejshëm, siç është përshuta, raporton Veriu.info.
AUV tërhoqi 73,2 kilogramë produkte nga tregu
Sipas komunikatës së AUV-së, deri më tani janë tërhequr dhe izoluar 35,7 kilogramë mish i bluar dhe 37,5 kilogramë përshutë gjedhi.
Sasia e përgjithshme prej 73,2 kilogramësh do të asgjësohet nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.
AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet me numrat e loteve 13112147 dhe 1211695 që të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.
Sipas dokumentacionit të gjurmueshmërisë, furnizuesit e lëndës së parë për mishin e bluar janë Delta M dhe Buquku – Pejë, ndërsa për përshutën e gjedhit furnizues është Delta M.
AUV ka bërë të ditur se kontrollet e mëtejshme do të përfshijnë gjithë zinxhirin e furnizimit, me qëllim të identifikimit të burimit të kontaminimit./Veriu.info
LEXONI EDHE:
Skandal: Kapet mish i bluar “Çobani” me baktere të rrezikshme (Foto/dokument)















