Paulo Dybala pritet të mungojë katër deri në tetë javë.
Argjentinasi pësoi një lëndim të dielën mbrëma, në ndeshjen të cilën Roma e fitoi 2:1 kundër Lecces.
Dybala iu nënshtrua disa testeve mjekësore në Trigoria këtë pasdite, të cilat konfirmuan një lëndim të muskujve, në kuadricepsin e majtë, sipas “Sky Sport”.
Kësisoj, sipas mediumit italian, 28-vjeçari pritet të mungojë minimumi 4 javë, maksimumi tetë javë.
Lëndimi në fjalë mund ta lë Dybalan edhe jashtë Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Megjithatë, ish-sulmuesi i Juventusit do t’i nënshtrohet edhe disa testeve nesër te klubi romak, kur edhe do të përcaktohet zyrtarisht kohëzgjatja e rikuperimit.













