Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, e njohur për publikun edhe si Sasa nga seriali humoristik “O Sa Mirë“, ka ngatërruar Lojërat Mesdhetare me ato Olimpike gjatë një mbledhjeje të Komisionit parlamentar.
Matoshi, së bashku me kolegun e saj të partisë, Bylbyl Sokolin, gaboi në emërtimin e ngjarjes së madhe sportive që Kosova pritet ta organizojë në vitin 2030.
Gjatë diskutimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, Matoshi, duke folur për punimet në stadiumin e Gjilanit, iu referua garave si Lojëra Olimpike.
“[…] Ndoshta është mirë me bisedu edhe me ministrin, meqë jemi afër ‘Lojërave Olimpike’, me shku me pa ku janë problemet”, deklaroi Matoshi.
Por, nuk ishte vetëm ajo që bëri këtë ngatërrim. Edhe deputeti Bylbyl Sokoli, profesor dhe trajner futbolli, iu referua Lojërave Mesdhetare si Lojëra Olimpike.
“Të na informojnë në lidhje me arritjet, deri ku kanë mbërritur rreth Lojërave Olimpike”, u shpreh Sokoli.
Kështu, deputetët e VV-së ngatërruan dy ngjarje të ndryshme sportive gjatë diskutimit parlamentar.
Për dallim nga Lojërat Olimpike, Kosova ka fituar të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, një ngjarje e rëndësishme sportive që do të mbledhë sportistë nga vendet e rajonit të Mesdheut.














