Kreu i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti përmes një statusi në Facebook ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në LDK.
Sipas Ahmetit, Pa demokraci të brendshme, pa dialog, mirëkuptim dhe tolerancë, LDK-ja nuk është vetvetja.
‘’LDK-ja ka lindur nga demokracia, toleranca, bashkëpunimi dhe durimi. Prandaj, është koha që këto vlera të mos mbeten vetëm pjesë e historisë sonë, por të jenë udhërrëfyes i veprimit dhe funksionimit tonë sot.Prandaj: të dëgjosh para se të vendosësh, të bindësh e jo të imponosh, të bashkosh e jo të linqosh, janë parime fundamentale të funksionimit të LDK-së.Flas nga brenda. Që nga themelimi e deri më sot, në të mirë e në sfida. Dhe pikërisht për këtë refuzoj që kaq lehtë të linqohen e të akuzohen ata që e kanë mbajtur gjallë LDK-në në ditët më të vështira, ndërsa të përkëdhelen turistet politik’’, ka shkruar Ahmeti.
Më tutje sipas Ahmetit, LDK-ja i përket vlerave të respektit, dialogut dhe mirëkuptimit, njerëzve që e kanë ndërtuar e mbajtur gjallë, si dhe çdo qytetari që beson në këto vlera.
‘’Ajo nuk ndërtohet me grusht, me zë të ngritur apo me ton të lartë. Kjo nuk i shkon për fytyrë LDK-së dhe nuk është mënyra se si është ndërtuar historia e saj.Shtrati dhe bazamenti brenda të cilit lindi, u zhvillua dhe mbijetoi LDK-ja në rrethana të ndryshme, nuk mund të tjetërsohen në kopje të asnjë modeli tjetër politik. LDK-ja është e veçantë dhe pikërisht këtë veçanti duhet ta ruajmë’’, ka shkruar Ahmeti
Është koha për më shumë dialog, mirëkuptim dhe më shumë respekt për njëri-tjetrin, ka shtuar tutje ai.














