Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën që pritet të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar për 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlerave të luftës për liri.
Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se protesta do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 14:00.
“Të dashur vëllezër e motra, më 12 shtator, në ora 14:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, ju ftoj të bashkohemi në mbështetje të luftëtarëve të lirisë dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshimit në mbështetje të atyre që, sipas tij, kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës.
“Të marshojmë së bashku për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, me besimin se pas çdo sakrifice dhe pritjeje duhet të triumfojnë drejtësia dhe liria”, ka shkruar ai.
Ahmeti e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Për luftëtarët tanë, për heronjtë e luftës dhe të paqes, për UÇK-në!”.
Pjesëmarrjen e Ali Ahmetit në protestë e ka paralajmëruar edhe ish-ushtari i UÇK-së, Sadri Shala. Në një postim të tij, Shala ka treguar se ka zhvilluar një takim me Ahmetin, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, deputetin Arian Tahiri dhe bashkëluftëtarin Arsim Deliu.
“Mbrëmë pata nderin të jem në një takim me liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, z. Ali Ahmeti, dhe Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, së bashku me deputetin z. Arian Tahiri dhe bashkëluftëtarin z. Arsim Deliu”, ka shkruar Shala.
Ai ka vlerësuar kontributin e Ahmetit në çështjen kombëtare, duke theksuar rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve.
“Më 12 shtator, z. Ali Ahmeti do të marrë pjesë në protestën e organizuar nga ‘Liria ka Emër’, në mbrojtje të Çlirimtarëve, të UÇK-së dhe të vlerave të luftës për liri”, ka shkruar Shala.
Protesta e 12 shtatorit është paralajmëruar të nisë në ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa organizatorët dhe mbështetësit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë.













