Deputeti i PDK-së dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arian Tahiri, dhe Halil Geci, babai i ish-deputetit të Guxo-s, Fatos Geci, janë përplasur publikisht pas një deklarate të Tahirit lidhur me rendin kushtetues dhe institucionet e Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, Tahiri deklaroi: “Askush mbi Kushtetutën. Askush mbi ligjin. Askush mbi institucionet. Askush mbi Republikën. As sot. As nesër. Asnjëherë.”
Më pas, Geci reagoi përmes një statusi në rrjetet sociale, duke iu referuar edhe një deklarate tjetër të atribuar Tahirit, sipas së cilës “Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të krijojë një Republikë të re”.
Geci e kritikoi ashpër deputetin e PDK-së, duke pretenduar se deklarata e tij nënkupton kundërshtim ndaj krijimit të një “Republike të re” dhe duke e akuzuar atë se synon ruajtjen e, siç e quajti ai, “Republikës së vjetër serbe” ose të modelit të mëparshëm politik të Kosovës.
Në reagimin e tij, Geci përmendi edhe çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e lidhur atë me zhvillimet politike të së kaluarës dhe me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Geci përdori gjithashtu gjuhë fyese ndaj Tahirit, duke e cilësuar atë ndër të tjera si “Tahirovski i Serbisë” dhe duke bërë akuza të tjera të rënda politike e personale.
Ndaj këtyre deklarimeve reagoi Tahiri, i cili i bëri thirrje publike Gecit që ta largojë dhe tërheqë menjëherë publikimin.
Tahiri tha se Geci i ka atribuar qëndrime që ai nuk i ka shprehur dhe se e ka etiketuar me “formulime fyese dhe të papranueshme”.
“Deklarata ime se ‘Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk mund të krijojë një Republikë të re’ është dhënë qartësisht në kontekstin e mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, të Kushtetutës dhe të institucioneve të saj”, deklaroi Tahiri.
Ai e cilësoi si “shtrembërim të deklaratës” pretendimin se e dëshiron “Republikën e vjetër serbe”, ndërsa shprehjen “Tahirovski i Serbisë” e konsideroi fyerje të papranueshme që, sipas tij, cenon reputacionin dhe integritetin e tij personal e publik.
Tahiri iu referua edhe Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, duke kërkuar nga Geci që ta largojë publikimin dhe të kërkojë falje publike.
“Në të kundërtën, mbrojtjen e reputacionit dhe të drejtave të mia do ta kërkoj në Gjykatë”, tha Tahiri.












