Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona nën dyshimet për armëmbajtje, manipulim me prova dhe shitblerje të substancave narkotike.
Në një njoftim për media policia ka bërë me dije se dy nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.
“Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante, ka realizuar një operacion policor në Prishtinë, me ç’rast janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale: shit-blerje të paautorizuar të substancave narkotike, mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulim me prova.
Operacioni është realizuar pas një pune hetimore dhe operative, përmes së cilës zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë dhe zbulojnë personat e dyshuar për kryerjen e këtyre veprave penale.
Pas intervistimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dy nga personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.











