Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, duke e akuzuar se po synon të “suspendojë çdo rregull”, përfshirë normat kushtetuese, politike, morale e njerëzore.
Ajo ka thënë se Kurti, po vepron “si një monark”, duke shpallur Kuvendin të konstituuar, zgjedhur Qeverinë dhe marrë vendime pa përgjegjësi politike e kombëtare.
Çitaku ka deklaruar se kjo qasje nuk do të kalojë, duke theksuar se Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një personi dhe se Kushtetuta nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive.
Ajo ka paralajmëruar se PDK-ja do të përdorë çdo mjet politik dhe juridik për rikthimin e, siç tha, demokracisë, ligjshmërisë dhe rendit kushtetues, ndërsa për pretendimet lidhur me Listën Serbe tha se folën ata vetë, me votë, në Kuvend. /Gazeta Express
Postimi i plotë i Çitakut:
Albin Kurti po synon me suspendu çdo rregull. Çdo normë. Jo vetëm kushtetuese e politike, por edhe morale e njerëzore.
Vetë, si një monark i një kohe të kaluar, jashtë çdo rregulli, e shpall Kuvendin të konstituuar, e zgjedh Qeverinë, merr vendime. Ngre dorën e gishtat si një fëmijë i llastuar, pa asnjë fije përgjegjësie politike e kombëtare për situatën në të cilën e ka sjellë vendin.
Por kjo mendësi nuk ka me kalu.
Republika nuk funksionon sipas vullnetit të një njeriu. Kuvendi nuk është pronë private. Kushtetuta nuk është meny prej së cilës zgjedh çka të pëlqen e çka jo.
PDK as nuk joshet, as nuk shantazhohet, e as nuk nënshtrohet.
Kemi me përdorë çdo mjet politik dhe juridik për me e rikthy demokracinë, ligjshmërinë dhe rendin kushtetues në vend.
Sepse askush nuk është mbi Kushtetutën.
Askush nuk është mbi Kuvendin.
Askush nuk është mbi Republikën.
E për përrallat pseudopatriotike me Listën Serbe, as që ia vlen me folë.
Folën ata vetë.
Me votë.
Në Kuvend.













