E shpjeguar shkurt e shqip, gazetari rus Gennady Sysoev e sajoi një keqinterpretim mbi përmbajtjen e tekstit që pritej të lindte Marrëveshjen e Washingtonit. Atë e përcolli në serbisht Aleksandar Novačići, kurse duke u mbështetur në të e përshtati në shqip një agjent i VV-së me llagëpin ‘Lule Gjeli’. Kështu shfaqet prapavija e një aksioni hibrid për t’i vënë gurë nën rrota njërës prej nismave më të rëndësishme amerikane për Kosovën. Dosja e ‘Lule Gjelit’ – nëse vërtetohet përfundimisht që ka për autor Gent Prokshin – ngre pikëpyetje serioze përtej shpifjeve e fyerjeve në kurriz të zërave opozitarë. Lufta inteligjente kundër Kosovës po zhvillohet jo me imazhe kineaste me agjentë 007 e me skena aksion, por me artikuj spindoktoralë që fillojnë nga redaksia e një mediumi moskovit dhe përfundojnë si qëndrime popullore në Kosovë.
Një nga gjetjet më të mira të këtyre viteve në gazetari ka qenë ajo që bënë dje kolegët nga mediumi ‘VOX Kosova’.
Nganjëherë gjetjet e vërteta e interesante vuajnë padrejtësisht nga parapëlqimi që ka publiku vetëm për senzacionalizëm.
Kështu etja e njerëzisë është aq e madhe për një copë video a incizim ku një ministër i thotë dhe i bën të gjitha marritë.
Por një gjetje e vyer mund të jetë edhe nëse gazetari i mirë heton një nuancë brenda një teksti a fjalimi tashmë të harruar.
Kësodore, ka plot arsye pse gjetja e VOX-it nuk guxon të zverdhet si lajm i djeshëm e as të qarkullojë vetëm disa ditë sipas të thënmes “çudia zgjat tri ditë”.
Tani e tutje, historia me ‘Lule Gjelin’ nuk duhet të jetë vetëm ajo që e dimë tashmë si një profil i rremë, pas të cilit qëndron një njeri i afërt me VV-në.
Historia shkon edhe përtej faktit të njohur tanimë se partia në pushtet e shpenzon edhe dinarin e fundit për luftë hibride.
Arsyeja pse ‘Lule Gjeli’ duhet të jetë lajm secilën ditë është gjetkë.
Kur Jeta Xharra i bëri vend një artikulli spindoktoral të nënshkruar me këtë llagëp, këtu pak e hiç ka rëndësi pse standardet e gazetarisë u përmbysën vullnetshëm.
Ajo që përbën një kapitull të ndyrë është se gjashtë vite më parë fobia botërore ndaj Trumpit ka bërë gjëra të frikshme – madje është amplifikuar nga një medium në gjuhën shqipe i menduar si profesional.
Nëse në Evropë e gjetiu megjithatë Trumpofobët dijnë të tulaten e të mos futen në bela, në Kosovë eksperimentohej e hapeshin beteja kundër Washingtonit.
Dhe ja si rrodhi historia e një përpjekjeje spindoktorizmi.
Më 25 qershor 2020, në gazetën moskovite Kommersant u botua së pari herë një komentar nga korrospodenti i saj për Ballkanin, Gennady Sysoev.

Në sfond të këtij artikulli ishte vizita e kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, në Beograd, dhe ca ditë më vonë ajo e Vuçiqit në Moskë ku ishte takuar sy-me-sy me presidentin rus, Vladimir Putin.
Përmbajtja e komentit të Kommersantit – që ishte botuar pas një muaji në një version të shkurtuar nga Aleksandar Novačići edhe në revistën javore Vreme në Beograd – u mor veresije dhe u rishkrua nga njerëz të afërt me VV-në.
Kësisoj krijohej përshtypja sikur kishte kundërshtime autentike e vendore brenda Kosovës kundër Marrëveshjes së Washingtonit.
Ky zinxhir artikujsh nga Gennady Sysoevi, Aleksandar Novačići dhe ‘Lule Gjeli’ paraqiste versione të shpërfytyruara të tekstit dhe përmbajtjes së Marrëveshjes së Washingtonit.
Dhe një i tillë ishte edhe falsifikimi sikur njëra nga klauzolat e ujdisë parashikonte një model kinez të Shenzenit për Kosovën e Serbinë.
E vërteta ishte se marrëveshja fliste për Schengen si vizion perëndimor e jo për një model kinez.
Ky falsifikim i paskrupullt nuk ishte veç një huq gjuhësor i shkaktuar prej analogjisë formale mes emrave ‘Shenzhen’ dhe ‘Schengen’.
Këtu llogaritej që të krijohej një mistifikim ashtu që një javë përpara nënshkrimit të krijohej një frymë armiqësore dhe marrëveshjes t’i diktoheshin terme të tjera.
Tabloja që del kur këqyret çështja përtej një artikulli të ‘Lule Gjelit’ – që Jeta Xharra e shtyu përpara – është gati surreale.
Çdo nismë amerikane që qendërzohet për Kosovën sabotohet fillimisht në Serbi e pastaj edhe në Kosovë. Pse?
Marrëveshja e Washingtonit, tekembramja, edhe pse nuk arriti të ishte kopsa e fundit që do ta mbyllte një kontest të gjatë historik, ishte e bereqetshme për Kosovën.
Nëse ajo nuk u zbatua si tërësi, hajr për ne ishte fakti pse vendi ynë siguroi një nga njohjet më të rëndësishme në historinë 18-vjeçare diplomatike.
A nuk ishte e mbërrime e madhe njohja e Kosovës nga Izraeli?
Nëse VV-ja, e në sfond edhe Serbia, përpiqeshin ta mënjanonin Amerikën sa më larg Kosove, marrëveshje të tjera, si ajo e Ohrit, çuditërisht nuk pësuan këso sabotimesh.
Nëse do të mateshin në kandar Marrëveshja e Washingtonit e nënshkruar nga Avdullah Hoti dhe Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar nga Albin Kurti, atëherë peshoja do të rëndohej vetëm nga dëmet e kësaj të fundit.
Ohri ishte injoranca e thellë e absolute e Kurtit jo veç si negociator analfabet, por edhe si dikush që nuk ka kurrfarë kompasi moral sapo të ndodhet larg turmave të tij.
Me nenin e shtatë të ujdisë në Ohër, Kurti ia vuri Kosovës dy këmbët në një këpucë.
Ndonëse në vitet pasuese ai do ta shërbente elektoratin e tij besimtar me fanfara e lojëra sovraniste në veri, marrëveshja e Kurtit e thoshte shkoqur që pakicës serbe do t’i jepej autonomi taze (“appropriate level of self-management for the Serbian community in Kosovo”).
Kur u bë një këso harakiri – Kurti pranoi edhe provizionin që Serbia të financonte këtë krijesë ashtu sikurse që kjo krijesë do të komunikonte ndaras me autoritetet qendrore – Serbia më nuk hodhi shashka dezinformimesh dhe as ‘Lule Gjelat’ e VV-së nuk u aktivizuan.
Dosja me ‘Lule Gjelin’ nuk do ta marrë drejtësinë e merituar nëse ajo procedohet siç është duke u proceduar momentalisht.
Dëmet e luftës speciale që bëjnë anonimët e VV-së – prej llogarive të rreme e deri te hapësira në mediume si rrjeti ballkanik BIRN – janë më të mëdha sesa vetëm fyerjet e shkatërrimi i dinjitetit të sa e sa njerëzve.
Nëse AKI-ja do të ishte më shumë sesa një servis i mjerë në duart e militantëve të partisë në pushtet, historia e ndodhur më 27 gusht 2020 do të ishte filli për ta shpërpushur një rrjet të sofistikuar hibrid të luftës inteligjente kundër Kosovës.
Historia e 27 gushtit 2020 e thyen keq edhe atë bestytninë kolektive që luftën e shërbimeve sekrete e lidh me imazhe kinemaje, me agjentë 007 e me aksione artesh marciale, ndjekjesh me motora e kërcimesh nga trenat e urat.
Lufta e shërbimeve sekrete në shoqëri të gërryera nga populizmi, pisllëku kulturor e konflikti politik kryhet shumë thjesht.
Artikujt dezinformativ përkthehen dhe shndërrohen në qëndrime popullore.
Tupani bie për ata që kanë vesh.












