Cristiano Ronaldo ka folur për mënyrën se si e përballon kritikën, presionin dhe pritshmëritë që shoqërojnë një karrierë të jashtëzakonshme në futboll.
I pyetur se çfarë këshille do t’i jepte versionit të tij më të ri, nëse do ta kishte mundësinë ta takonte sot, ylli portugez theksoi se përvoja ndër vite e ka ndihmuar të kuptojë më mirë veten dhe të mos ndikohet nga opinionet e të tjerëve.
“Jam në paqe me veten. Me kalimin e viteve fiton përvojë dhe kupton se ka disa gjëra që nuk do të ndryshojnë kurrë te ti”, u shpreh Ronaldo.
Ai pranoi se kritikat janë pjesë e pandashme e futbollit dhe se një futbollist duhet të mësojë të jetojë me to.
“Edhe kur bën gjërat siç duhet, njerëzit do të të kritikojnë. Imagjino kur bën diçka gabim. Është pjesë e lojës dhe unë kam mësuar të jetoj me të”, tha ai.
Ronaldo theksoi se një nga gjërat më të rëndësishme për të është fakti se e njeh veten dhe e di se sa shumë ka punuar për të arritur në nivelin ku ndodhet sot.
“E di kush jam. E di çfarë kam bërë për të arritur deri këtu. E di sa shumë kam punuar për suksesin që kam sot”, deklaroi portugezi.
Ai foli gjithashtu për përgjegjësinë që ndien si figurë inspiruese për gjeneratat e reja.
“Sidomos fëmijët e rinj e duan Cristiano Ronaldon, sepse më shohin si një shembull. Për mua, kjo është gjëja më e rëndësishme. Do të vazhdoj të jem i tillë edhe kur të jem tërhequr nga futbolli”, u shpreh Ronaldo.
Në fund, pesë herë fituesi i Topit të Artë theksoi se nuk lejon që kritikat të përcaktojnë gjendjen e tij emocionale, duke zgjedhur të fokusohet te njerëzit që e mbështesin.
“Nuk ka rëndësi nëse luaj nesër apo pushoj në ndeshjen e ardhshme. Për mua, më e rëndësishmja është të ndihem mirë. Përqendrohem te njerëzit që e duan Cristianon, jo te ata që e kritikojnë. Prandaj jam i lumtur. Jam një njeri i lumtur”, përfundoi ai./Indeksonline/












