Kryeministri Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e bankave në godinën e Bankës së Shqipërisë, në një moment kur degët e ndryshme nëpër Tiranë kanë rënë pre e vandalizmit të protestave të dhunshme dhe kanë cënuar vijimin normal të punës.
“Ishte e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju pas një histerie dhune që krijoi trysni të madhe mbi njerëzit e mbi të gjitha që mori peng Tiranën duke krijuar edhe idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë e gurë gjithë Shqipërinë. Natyrisht që për ne nuk ka asnjë dyshim. Është dhunë orkestruar e lidhur me elemente të brendshëm dhe të jashtëm, e lidhur edhe me çka ndodhur nëpër qytete të tjera europiane, përmes një organizate neokomuniste që quhet ANTIFA, por ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës.
Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e pas luftës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre simbolizon të keqen. Tjetra është kriminaliteti i vogël i lagjeve që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar dhe subjekteve të tjera politike. Të gjitha këto kanë mbështetje të madhe të provuar nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe Europën. Këta elementë të bashkuar në një front nuk janë studentët dhe pjesa e shoqërisë që ka të gjitha të drejtat për të protestuar dhe kërkuar llogari. Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës.
Ka njerëz si rasti i kinse pedagogëve të Universitetit, një pjesë e vogël e tërësisë së tyre, që i bëjnë jehonë, i japin mbështetje dhe nuk bëjnë asgjë për tu distancuar nga dhuna. Edhe në ekrane hymnizohet dhuna dhe sulmohet në bllok shteti përmes sulmeve mbi policinë. Çfarë po ndodh nuk ka lidhje me fantazmat e të kaluarës, mos o Zot me 1997-ën apo ato momente dramatike kur paraja u vu nën presionin e tmerrshëm të rrënojave dhe pasojave të mashtrimit.
Sot është krejt situatë tjetër, jetojmë në një botë paralele, ku njerëz duan të na imponojnë me dhunën e tyre në atë perimetër të qendrës së Tiranës, ku shfaqen njerëz të maskuar, përballen me policinë dhe kjo e fundit bën punën e vet. Jashtë perimetrit ka një Shqipëri me halle e nevoja dhe që kërkon me të drejtë që gjithçka të shkojë më mirë. E gjithë kjo duhet përballur me durim e qetësi në të gjitha institucionet, ashtu si edhe në rrjetin e bankave, që janë gardiane dhe garante e kursimeve të shqiptarëve.
Jam këtu për t’ju shprehur solidaritetin në këtë moment kritik që po kalojmë. Kjo do të kalojë dhe ka shumë detyra për të bërë ne si qeveri. Ka detyra të atyre që janë në protestë protestë paqësisht. Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në 1997-ën, tani i kanë thyer xhamat me gurë. Ne do t’i adresojmë problemet duke i sjellë një për një detyrat. Sot në qeveri kemi kaluar për parlamentin ligjin e strehimit social të përballueshëm. Adreson problematikën e studentëve, sepse që në programin e qeverisë ne e materializuam këtë draft, duke krijuar një qasje krejt të re në raport me rritjen e çmimeve. Do të paguajmë edhe 50% të qerasë për ata studentë që plotësojnë kriteret e vendosura”, tha Rama mes të tjerash./TCh/

















