Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPERTK0 i ka bërë thirrje Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere që ta trajtojë me prioritet çështjen e përfshirjes së punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në skemën e pagesës së pagës së 13-të.
Në një komunikate për media thuhet se përderisa kjo masë tashmë është shtrirë te punonjësit e tjerë publikë, përjashtimi i punëtorëve të RTK-së ngre shqetësime serioze lidhur me trajtimin e pabarabartë dhe drejtësinë ndaj punëtorëve të transmetuesit publik.
Për këtë arsye, SPERTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që ta adresojnë urgjentisht këtë çështje pranë institucioneve përkatëse dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar përfshirjen e punëtorëve të RTK-së në për pagën e 13-të.
Gjithashtu, SPERTK kërkon nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së që të angazhohen për sigurimin e një buxheti të mjaftueshëm për Transmetuesin Publik, në mënyrë që punëtorëve t’u mundësohet edhe rritja e pagave, të cilat nuk janë rritur prej rreth 20 vjetësh. Po ashtu, kërkohet përmirësimi i kushteve të punës, të cilat vazhdojnë të jenë të vështira.
Bordi dhe Menaxhmenti nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojnë pasivë përballë një çështjeje që prek drejtpërdrejt interesat ekonomike dhe dinjitetin e punëtorëve. Është përgjegjësi e tyre institucionale që t’i përfaqësojnë dhe t’i mbrojnë interesat e punëtorëve të RTK-së, të kërkojnë zgjidhje konkrete dhe t’i informojnë ata për veprimet që do të ndërmarrin.
Punëtorët e RTK-së, përmes angazhimit dhe punës së tyre të përditshme, kontribuojnë në informimin e qytetarëve dhe në përmbushjen e misionit të transmetuesit publik. Ata nuk duhet të trajtohen si punëtorë të dorës së dytë dhe as të mbeten jashtë një mase që po zbatohet për punonjësit e tjerë publikë.
SPERTK paralajmëron se, nëse Bordi dhe Menaxhmenti dështojnë ta adresojnë këtë çështje dhe nuk ndërmarrin veprime konkrete për zgjidhje, do të kërkojë përgjegjësi institucionale për këtë dështim. Punëtorët kanë të drejtë të dinë se çfarë është bërë, cilët hapa janë ndërmarrë dhe pse interesat e tyre nuk janë mbrojtur siç duhet.
SPERTK nuk do të pajtohet me heshtjen, neglizhencën apo mungesën e angazhimit për një çështje kaq të rëndësishme për punëtorët e RTK-së.
Nuk kërkojmë privilegje, por barazi, drejtësi dhe trajtim dinjitoz për punëtorët e RTK-së!















