Një rast tronditës i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për kërcënime serioze dhe publikim të fotografive intime në rrjete sociale.
Ngjarja ka ndodhur më 22 prill 2026, rreth orës 08:00, në rrugën “Mulla Agani”, ku viktima me inicialet E.R. është paraqitur në Stacionin Policor për të raportuar rastin.
Sipas deklarimit të saj, ajo është e martuar prej katër vitesh me të dyshuarin G.J. dhe kanë një djalë 8 muajsh. Kohëve të fundit, raportet mes tyre janë përkeqësuar, ndërsa ajo ka bërë të ditur se bashkëshorti e ka kërcënuar me fjalët se do t’ia vriste fëmijën.
Përveç kërcënimeve, viktima ka raportuar se i dyshuari ka publikuar fotografi intime të saj në rrjetin social Snapchat, duke i shkaktuar dëmtim të rëndë të imazhit dhe privatësisë.
Ajo ka deklaruar se nuk ndihet e rrezikuar fizikisht për momentin, por ka shprehur shqetësim për pasojat që mund të sjellin kërcënimet dhe publikimi i materialeve intime.
Sipas informatave, i dyshuari aktualisht ndodhet në Republikën e Shqipërisë, ku edhe punon.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për ndriçimin e plotë të rastit.













