Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private që operojnë në mënyrë të kundërligjshme, me shërbime të palicencuara dhe staf ilegal (të palicencuar), kemi hasur edhe në një klinikë estetike në Ferizaj që është gjobitur nga Inspektorati Shëndetësor.
Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin subjekti privat shëndetësor “Ebo Klinika” Sh.P.K. në Vushtrri me themeluese Elbaroza Bunjaku është gjobitur me 2 mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.
Në arsyetimin e këtij vendimi për gjobitjen e “Ebo Klinika”, thuhet se Inspektorati Shëndetësor më 21 maj ka bërë inspektim të paplanifikuar në këtë ordinancë të Logopedisë, por që nga themeluesja Elbaroza Bunjaku nuk ishte prezantuar licencën për ushtrimin e veprimtarisë shëndetësore.

“Gjatë inspektimit në Subjektin Privat Shëndetësor “Ebo Klinika” në Vushtrri u konstatua se ishin ofruar shërbime shëndetësore në lëmin e Logopedisë pa poseduar licencë të vlefshme për ushtrim të veprimtarisë shëndetësore nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim (DLA) në Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e siguruar nga Veriu.info.
Tutje, në vendim thuhet se në “Ebo Klinika” është konstatuar se ofroheshin shërbime të Logopedisë nga Elbaroza Bunjaku – Bachelor i Shkencave në Shkencat Shëndetësore Terapeutike – Profili Logopedi me nr. Licence KO-52055/A-11 valide deri më 27.08.2030.
Si gjetje e Inspektoratit Shëndetësor ishte evidentuar edhe mosprezantimi i regjistrit për pacientë, edhe pse inspektorët kanë gjetur aty dëshmi që janë evidentuar pacientë të cilëve u janë ofruar shërbime shëndetësore logopedike pa poseduar licencë valide nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.


Në “Ebo Klinika” gjatë inspektimit është konstatuar si shkelje ligjore edhe mosposedimi i antishok terapisë.
Në përfundim të këti inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor subjektit privat shëndetësor i është vendosur shenja për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga themeluesja e “Ebo Klinika” Sh.P.K. për këtë vendim të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
(Foto kryesore e lajmit: themeluesja Elbaroza Bunjaku)
LEXONI EDHE:













