Në një prononcim për portalin Veriu.info, eksperti i ekonomisë Arton Muhaxheri ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrit të Financave, i cili tha se edhe nëse çmimi i kafes dyfishohet dhe qytetarët blejnë më pak, qarkullimi mbetet i njëjtë.
Muhaxheri thotë se një deklaratë e tillë është një keqinterpretim serioz ekonomik që më shumë i ngjan një ftese për dietë kolektive sesa një politikë përballë inflacionit.
“Sipas ministrit, nëse kafja shtrenjtohet dhe ti blen më pak, s’ka problem – qarkullimi mbetet njësoj. Pra, qytetarët të hanë më pak, të blejnë më pak, por të mos i prishin ministrit përqindjet,” shprehet ai me ironi.
Sipas Muhaxherit , me këtë logjikë mund të shpallet sukses ekonomik edhe kur popullsia ha bukë thatë, mjafton që tabela Excel të tregojë “qarkullim konstant”.
Ai e konsideron këtë qasje si një përpjekje për të fshehur realitetin e varfërimit të popullatës përmes justifikimeve statistikore. Në vend të masave kundër inflacionit, na ftojnë në dietë kolektive. Thjesht konsumoni më pak dhe mos u ankoni, përfundon ai për Veriu.info.












