Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim.
Në një intervistë me Paparacin të premten, Hasani ka theksuar se ligji duhet të votohet në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre.
Hasani ka theksuar se, në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi nuk mund të hapë një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar ligjin, por duhet të vendosë nëse do ta miratojë sërish në formën e mëparshme.
Ai ka sqaruar se për miratimin e ligjit të kthyer kërkohen të paktën 61 vota të deputetëve, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.
Nëse ligji i siguron 61 votat, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në të kundërtën, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme, ligji nuk miratohet.
Sipas Hasanit, nëse Kuvendi synon ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë vetëm përmes një procedure të re legjislative, e jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidentja.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar të enjten presidentes Justina Shiroka-Pula rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një njoftim për media, PDK tha se kthimi i Ligjit do të mundësonte “plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit”.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë”, tha PDK në njoftim.
Presidenca tha se Shiroka Pula pranoi propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçmas të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me “dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”.
Intervista e plotë: KËTU















