Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është bërë me kryeshef të ri. Sikurse edhe ndërmarrjet tjera publike edhe në krye të KEK-ut është vendosur një njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka njoftuar të enjten në mbrëmje se kanë zgjedhur Gramos Hashanin për kryeshef të saj.
“Procesi i përzgjedhjes është zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka përfshirë vlerësimin dhe intervistimin e të gjithë kandidatëve që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në konkursin publik…Bordi i Drejtorëve i KEK sh.a. i uron z. Gramos Hashani suksese në detyrën e re, duke shprehur besimin e plotë se, nën udhëheqjen e tij, Korporata do të vazhdojë të forcojë performancën dhe të avancojë zhvillimin e saj strategjik në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.
Hashani kishte qenë ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut që nga shkurti i vitit të kaluar.
Ai është një njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, posaçërisht me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.














