Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare (LDK, PDK dhe AAK) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.
Në këtë takim do marrë pjesë PDK, kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu.
Ai tha se pjesëmarrja e Memli Krasniqit në ketë takim do jetë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja.
“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, tha ai për Insajderin.
Ndërsa zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, tha për Gazetën Insajderi se kjo parti ende nuk kanë vendosur se si do t’i përgjigjen kësaj ftesë.
“Mund të ju konfirmoj që kryetari Ramush Haradinaj bashkë me drejtuesin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kanë pranuar ftesë nga z. Kurti për takim, të hënën në ora 18:30. Ndërkaq, sa i përket pjesëmarrjes, jemi ende në shqyrtim”, tha ai.
Hera e fundit kur Kurti kishte ftuar në takim opozitën ishte në nëntor të vitit 2022, ku ishte thirrur për të diskutuar rreth situatës në Veri të Kosovës.












