Gjatë hulumtimit për institucionet shëndetësore private dhe respektimin e standardeve ligjore e profesionale në Kosovë, Veriu.info ka siguruar një raport të Inspektoratit Shëndetësor, në të cilin evidentohen gjetje të shumta në institucionin privat shëndetësor “Laboratori Diagnostika Lab” në Vushtrri.
Sipas raportit të siguruar nga Veriu.info, gjatë kontrollit në laboratorin “Diagnostika Lab” nuk ishte i pranishëm biokimisti Dr. Behram Barja, themelues i këtij institucioni privat shëndetësor.
Bazuar në gjetjet e evidentuara, Inspektorati Shëndetësor ka vendosur ndalesa për ofrimin e disa shërbimeve shëndetësore në laboratorin “Diagnostika Lab”, në pronësi të Behram Barjës.
Konstatimet e raportit me gjetjet në “Diagnostika Lab”:
- Gjatë kohës së inspektimit në IPSH “Diagnostika Lab” nuk ishte prezent biokimisti Dr. Behram Barja.
- “Diagnostika Lab” gjatë kohës së inspektimit ka ofruar shërbime shëndetësore pa prezencën e biokimistit.
- Institucioni Privat Shëndetësor “Diagnostika Lab” – laborator mjekësor biokimik hematologjik, ka ofruar shërbime shëndetësore laboratorike mikrobiologjike, pa staf të licencuar për ofrim të shërbimeve shëndetësore nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të institucioneve private shëndetësore, të Ministrisë së Shëndetësisë (gjeni të bashkëngjitur foton), në kundërshtim me nenin 42, paragrafi 1, të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi.
- Gjatë inspektimit, në prezencë të inspektoratit, raportet e analizave laboratorike biokimike hematologjike të pacientëve lëshohen me vulë pa prezencën e biokimistit.
- Gjatë inspektimit, konstatuam se në Institucionin Privat Shëndetësor “Diagnostika Lab”, laborator mjekësor biokimik hematologjik, ofrohej shërbim laboratorik biokimik hematologjik pa praninë e specialistit të Biokimisë Klinike.
- Gjatë kohës së inspektimit, institucioni privat shëndetësor “Diagnostika Lab” ofron shërbime të transfuzionit (grupe të gjakut) pa staf të lajmëruar në Divizionin për Licencim dhe Akreditim në Ministrinë e Shëndetësisë.
- Gjatë kohës së inspektimit, Inspektorati Shëndetësor ka konstatuar se BSc. i Biokimisë Klinike, Blerim Barja, ka përdorur faksimil të vetëkrijuar, pa miratim nga odat e profesionistëve shëndetësorë, veprim ky në kundërshtim me rregullat profesionale dhe ligjet në fuqi.
Për shkak të këtyre shkeljeve ligjore, Inspektorati Shëndetësor ia ka ndaluar këtij laboratori ofrimin e këtyre shërbimeve shëndetësore:
- Institucioni Privat Shëndetësor “Diagnostika Lab”, i ndalohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore laboratorike pa prezencën e biokimistit.
- Ndalohet ofrimi i përdorimit të faksimileve, pa miratimin nga odat e profesionistëve shëndetësorë.
- Institucioni Privat Shëndetësor “Diagnostika Lab”, i ndalohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore mikrobiologjike pa prezencën e mikrobiologut.
- Ndalohen të gjitha shërbimet e palajmëruara në Divizionin për Licencim dhe Akreditim në Ministrinë e Shëndetësisë (grupet e gjakut, mikrobiologji).
Veriu.info ka marrë edhe qëndrimin e “Diagnostika LAB” lidhje me këtë raport inspektimit të Inspektoratit Shëndetësor.
“Lidhur me çështjen në fjalë, Laboratori ynë i ka paraqitur sqarimet përkatëse pranë organit kompetent, Ministrisë së Shëndetësisë, dhe vazhdon të veprojë në përputhje me udhëzimet e pranuara. Sa u përket detajeve të tjera, nuk kemi komente shtesë për të ndarë. Ky është qëndrimi zyrtar i Laboratorit lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e shkurt të “Diagnostika LAB”.







LEXONI EDHE:













