Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, në fjalën e tij në marshin e sotëm, tha se ish-krerët e UÇK’së që sot po mbahen të paraburgosur në Hagë i kanë luftuar “katilët më të mëdhenj të Europës në 80 vjetët e fundit”.
Gjini më pas pyeti se si mund të jenë fajtorë njerëzit që kanë kapur pushkën për të mbrojtur civilët nga këta njerëz.
“A e dini kundër kujt ka luftuar UÇK’ja? A e dini kundër kujt kanë luftuar këta katër burra, që sot s’janë të lirë, por kanë me qenë të lirë sepse ne jemi të lirë? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionat frigoriferë me trupa të bashkëqytetarëve tonë, shqiptarëve, djem e vajza të reja, pleq, gra e burra. Kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar mijëra gra në Kosovë, por kanë luftuar kundër atyre që më 14 dhjetor 1998 i kanë vrarë fëmijët e vet për të na akuzuar neve. Kanë luftuar kundër të njëjtëve njerëz që kanë organizuar safari më vra njerëz në Sarajevë. Të njëjtit kanë ardhur këtu për të vrarë shqiptarë. Kundër tyre kanë luftuar, e qysh munden me pasë faj? Qysh mundet me pasë faj një popull? Qysh mund të kenë faj njerëzit që e kanë kapë pushhkën për liri kundër atyre që kanë qenë katilë më të mëdhenjtë në 80 vjetët e fundit në Europë? “.
Këta njërëz, kushdo që e ka kap pushkën, duhet me ua heq kapelën, shtoi Gjini, derisa brohoriste: “UÇK! Liri!
“Do t’i presim të lirë, nuk ka me arritur askush të na ndotë tregimin e Kosovës për liri. Tregimi i Kosovës për liri është i pastër si loti. Është i drejtë. Është luftë për të mbijetuar”.












