Fundi iu shty sërish. Rasti për tentim-pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara, nuk u finalizua më 19 qershor me dorëzimin e dosjeve përfundimtare, e cila qe datë më e preferuar e gjyqtarit të vetëm, Christopher Gosnell.
Kanadezi, e zgjati afatin me kërkesë të posaçme të Fadil Fazliut, anëtarët e mbrojtjes së të cilit kanë probleme shëndetësore, megjithëse fjalët finale me shkrim kanë mbetur peng i dëshmitarit kryesor të Prokurorisë në këtë rast, Koen Herlaar.
Gjykata e kishte rrëzuar në tërësi dëshminë e ekspertit nga Instituti Holandez për Kriminalistikë, i cili pretendonte se dokumentet e gjetura në shtëpinë e Isni Kilajt dhe veturën e Bashkim Smakajt u printuan nga Hashim Thaçi. ZPS e çoi në Apel rastin dhe për të s’ka marrë ende asnjë epilog.
Ky vendim i bie të merret para 3 korrikut, që është afati i ri për dosjet finale.
“Palët duhet të jenë të gatshme t’i dorëzojnë fjalët përfundimtare pas “një lajmërimi të shpejtë” për shkak të pritjes nga Apeli. Nga palët pritet të dorëzojnë dosjet jo më vonë se tri ditë pune pas njoftimit për vendimin e Apelit”, tha Christopher Gosnell, gjyqtar i vetëm “Thaçi dhe të tjerët”.
Me këtë qëndrim, Gosnell ka shtyrë edhe fjalët përmbyllëse në gjykatore deri pas pushimit të verës, pra 17 gushti i 2026 e tutje.
Vendimi i cili me këtë ritëm mund të merret deri në fundvit, do të bazohet edhe në disa fakte për të cilat nuk ka më luftë ligjore ndërmjet ekipeve mbrojtëse të Thaçit, Smakajt, Kilaj, Fazliut e Kuçit si dhe Prokurorisë.
Të martën u publikua pakoja e 10 e fakteve të pakontestueshme, për dëshmitarë tjerë të ZPS-së si Sokol Bashota, Ismet Tara, Demush Krasniqi e tjerë të mbrojtur, që thonë se nga fillimi i gjykimit kurrë s’u kontaktuan apo kërcënuan nga dikush për ndërhyrje në dëshminë e tyre./klankosova













