Në seancën e së mërkurës në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka dhënë konstatimet lidhur me akuzat për arrestime dhe ndalime gjatë luftës në Kosovë.
Sipas gjyqtarit Charles Smith, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk arriti të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile.
Po ashtu, gjykata tha se nuk ishte bindur se personat e shënjestruar nga pjesëtarë të UÇK-së mund të cilësoheshin si “popullatë civile” në kuptimin e krimeve kundër njerëzimit. Për këtë arsye, trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk arriti të vërtetojë kryerjen e krimeve kundër njerëzimit.
Megjithatë, gjykata konstatoi se nga fundi i marsit 1998 deri më 20 qershor 1999 kishte ekzistuar një konflikt i armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Serbisë në Kosovë.
Në lidhje me arrestimet dhe ndalimet, gjykata konstatoi se viktimat ishin arrestuar nga pjesëtarë të UÇK-së dhe më pas ishin dërguar në qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Sipas konstatimeve të gjykatës, shumë prej tyre ishin arrestuar në shtëpitë e tyre ose në rrugë. Gjatë arrestimit, disa ishin rrahur, u ishin lidhur sytë dhe duart dhe u ishin konfiskuar sendet personale.
Të arrestuarit, sipas gjykatës, ishin akuzuar për bashkëpunim me serbët, ndërsa nuk kishte prova të besueshme se ata ishin faktikisht “kolaboracionistë” apo “spiunë”.
Trupi gjykues konstatoi se disa prej tyre ishin mbajtur në dhoma të mbyllura, të rrethuar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, ndërsa disa ishin lidhur me zinxhirë ose pranga.
Në mesin e të ndaluarve, sipas gjykatës, kishte mësues, bujq, punëtorë të thjeshtë, si dhe në disa raste gra dhe fëmijë.
“Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja vërtetoi se ishte kryer ndalimi ndaj së paku mbi 300 personave”, tha gjyqtari gjatë leximit të aktgjykimit.
Gjykata konstatoi gjithashtu se në 14 komuna të Kosovës dhe në disa lokacione në Shqipëri, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime ose mosveprime që rezultuan në heqjen e lirisë së të paktën 185 personave që nuk merrnin pjesë në luftime, pa bazë aktive për ndalimin e tyre.













