Gani Geci, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kanosje të gazetarit dhe drejtuesit të “Vox Kosova,” Lirim Mehmetaj.
Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim 30 ditor të Gani Gecit, aty shkruhet përmbajtja kërcënuese dhe kanosëse ndaj Mehmetajt.
Në objektin e punës së “Vox Kosova”, Geci i kërkon të heq një postim për Fatos Gecit të shkruar nga Mehmetaj, “ose kena me u vra.”
“Pash një Zot, mos na merr në qaf, ndërro postimin se na duhet me u vra,” i thotë Geci, Mehmetajt, sipas dokumentit që ka parë gazeta Nacionale.
Mehmetaj kishte refuzuar shlyerjen ose ndërrimin e asaj përmbajtje, duke thënë se ai personalisht me Gani Gecit, s’ksihte pasur as referencë as punë.
Por, se çka ka shkruar për Fatos Gecin, i qëndron deri në fund.
Sipas dokumentit, takimi kanosës ka ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë.
Prokuroria thotë se Geci ka shkuar fillimisht atje i shoqëruar nga dy persona të tjerë, ndërsa konflikti lidhej me përmbajtjen e postimit.
Mehmetaj e ka raportuar rastin më 12 tetor në Stacionin Policor Qendra. Sipas kërkesës, ai ka përshkruar frikë dhe pasiguri për jetën.
Por, sipas përshkrimit të prokurorëve, përballja nuk përfundoi me largimin e Gecit nga zyrat e portalit.
Pasi kishte mësuar se Mehmetaj do të paraqitej në emisionin “Debat Plus”, Geci dyshohet se shkoi edhe pranë objektit të TV Dukagjinit.
Prokuroria thotë se policia e pengoi t’i afrohej televizionit, ndërsa ai qëndroi në afërsi duke pritur daljen e gazetarit nga emisioni.
Pritja, sipas dokumentit, zgjati rreth dy orë.
Geci kishte publikuar edhe video në TikTok për të treguar se ndodhej aty.
Kjo vijimësi e ngjarjeve është një nga arsyet pse Prokuroria pretendon se rreziku nuk kufizohej vetëm në takimin fillestar.
REKLAMË
Për dyshimin e bazuar, ajo përmend deklaratën e Mehmetajt, bisedat në Facebook Messenger, mesazhet, fotografitë dhe materialet filmike të bashkëngjitura në dosje.
Në kërkesë thuhet se vetë Geci e ka pranuar takimin dhe pritjen pranë televizionit, por jo se i ka pranuar kanosjet e pretenduara.
Megjithatë, hetuesit ende nuk e kanë përmbyllur mbledhjen e provave. Disa dëshmitarë duhet të japin deklarata lidhur me takimin në zyrat e portalit.
Prokuroria vëren se kamerat e sigurisë në “VOX Kosova” janë raportuar si jofunksionale dhe kërkon verifikimin e burimeve të tjera të pamjeve.
Dokumenti nënvizon nevojën që provat elektronike të ruhen, të verifikohet autenticiteti i tyre dhe dëshmitarët të pyeten pa trysni.
“Prokuroria thekson se marrëdhëniet familjare ndërmjet disa personave të përfshirë nuk përbëjnë, në vetvete, provë të ndikimit të paligjshëm.”
Megjithatë, prokurorët kërkojnë që dëshmitarët të merren në pyetje pa ndikim, ndërsa të sqarohen edhe rrethanat dhe përmbajtja e bisedave.
Prokuroria kërkon që gjykata të vlerësojë rrezikun e ndikimit duke marrë parasysh përplasjen dhe kërkesat për ndryshimin e postimit.
Për paraburgimin paraqiten katër baza: rreziku i arratisjes, ndikimi në prova e dëshmitarë, përsëritja e veprës dhe pamjaftueshmëria e masave më të buta.
Prokuroria i referohet edhe sjelljes së Gecit pas takimit dhe së kaluarës së tij penale, pa dhënë hollësi të tjera në dokument.
Sipas saj, hetimi i papërfunduar dhe nevoja për të siguruar dëshmi e komunikime e bëjnë paraburgimin masën e nevojshme.
“Në këtë fazë të procedurës nuk kërkohet që fajësia e të pandehurit të jetë provuar përtej dyshimit të bazuar”, thuhet në kërkesë.
Geci është ndaluar më 12 tetor, në orën 23:00, me vendim të prokurorit të shtetit, sipas të njëjtit dokument.
Prokuroria kërkon që pas seancës dëgjimore gjykata t’i caktojë paraburgimin prej 30 ditësh.
Deri në vendimin gjyqësor, Geci gëzon prezumimin e pafajësisë.














